Një tjetër mjet zjarrfikës i ri i është shtuar Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Kuçovë, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe kapacitetet e ndërhyrjes në rast zjarresh dhe situatash emergjente.
Ky investim synon përmirësimin e sigurisë për qytetarët dhe forcimin e shërbimeve emergjente në territorin e bashkisë.
Në ambientet e shërbimit zjarrfikës ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Kuçovë, zoti Kreshnik Hajdari, i cili zhvilloi një bashkëbisedim me punonjësit e këtij shërbimi, duke u njohur nga afër me mjetin e ri dhe duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e efektivëve zjarrfikës.
Ai theksoi se investimet në shërbimet emergjente do të vijojnë edhe në të ardhmen, me qëllim rritjen e kapaciteteve teknike dhe përmirësimin e kushteve të punës për zjarrfikësit.
Sipas drejtuesve të shërbimit, mjeti i ri do të shkurtojë ndjeshëm kohën e reagimit dhe do të rrisë efikasitetin në përballimin e situatave të vështira në terren.
Mjeti zjarrfikës është siguruar përmes një bashkëfinancimi mes Bashkisë Kuçovë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të forcimit të sistemit të mbrojtjes civile dhe sigurisë për komunitetin.