Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj të posaçëm që parashikon mbylljen përfundimtare të të gjitha shoqërive tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind, të cilat prej vitesh ndodhen në proces likuidimi pa ushtruar aktivitet ekonomik.
Sipas projektligjit të propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, këto ndërmarrje do të pushojnë së ekzistuari si subjekte juridike dhe pasuritë e tyre do të transferohen te një shoqëri e vetme shtetërore, e krijuar posaçërisht për administrimin e tyre.
Në relacionin shoqërues sqarohet se një numër i konsiderueshëm shoqërish shtetërore kanë mbetur në likuidim për më shumë se dy dekada, pa përmbyllur procesin, duke ekzistuar vetëm për administrimin formal të aseteve dhe detyrimeve të vjetra. Mes tyre përmenden shoqëri si Alb Bakër, Albkrom, Albminiera, Superfosfat Kurbin, Petrol Alba, Duhan-Cigare, Prodhim Mobilje, si edhe ndërmarrje të tjera industriale dhe minerare.
Dokumenti thekson se këto shoqëri mbartin detyrime të krijuara shumë vite më parë, një pjesë e të cilave rezultojnë të parashkruara, të pajustifikuara ose të regjistruara gabimisht, shpesh pa dokumentacion mbështetës ose ndaj subjekteve që nuk ekzistojnë më juridikisht. Në disa raste, këto detyrime përbëjnë pjesën më të madhe të borxhit të raportuar, pa përfaqësuar detyrime reale financiare.
Nga ana tjetër, shoqëritë në likuidim zotërojnë një portofol të gjerë asetesh, përfshirë troje, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare, të shpërndara në disa qarqe të vendit. Sipas relacionit, vlera kontabël e këtyre aseteve tejkalon ndjeshëm detyrimet reale të pagueshme, duke krijuar potencial për shlyerjen e tyre nëse administrohen në mënyrë të unifikuar dhe efikase.
Projektligji parashikon krijimin e një shoqërie të re shtetërore me emrin “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a., e cila do të jetë pasardhëse e shoqërive të mbyllura. Aksionari i vetëm i kësaj shoqërie do të jetë Ministria e Ekonomisë, ndërsa kapitali fillestar dhe shpenzimet e themelimit do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Shoqëria e re do të ketë në administrim të gjitha asetet e transferuara, me të drejtë t’i shesë ose t’i privatizojë sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim shlyerjen e kreditorëve. Po ashtu, ajo do të merret me arkëtimin e detyrimeve debitore dhe me sistemimin kontabël të detyrimeve të parashkruara.