Shtëpia e Bardhë po planifikon zhvillimin e takimit të parë të liderëve të “Bordit të Paqes”, një organizëm i ri ndërkombëtar i udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump. Takimi pritet të mbahet më 19 shkurt.
Sipas planifikimeve paraprake, takimi do të ketë në fokus mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës. Megjithatë, burime zyrtare bëjnë me dije se këto plane ndodhen ende në fazat e hershme dhe mund të ndryshojnë.
Administrata amerikane ka nisur kontaktet me vendet anëtare të Bordit për t’i ftuar udhëheqësit e tyre në këtë takim të parë. Deri më tani, pjesëmarrja nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe po vlerësohet lista e liderëve që mund të marrin pjesë.
“Bordi i Paqes” përbëhet aktualisht nga 27 anëtarë dhe kryesohet nga Donald Trump. Ai është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit në Gaza, si dhe për të kontribuar në qeverisjen dhe rindërtimin e saj.
Megjithatë, krijimi i këtij bordi është pritur me skepticizëm nga një pjesë e aleatëve perëndimorë. Shqetësimet lidhen me faktin se karta themeluese i jep presidentit amerikan të drejtën ekskluzive të vetos mbi vendimet e bordit, duke nxitur kritika se ky mekanizëm mund të shihet si një strukturë paralele me Këshillin e Sigurimit të OKB-së.