Shqiptari i kërkuar nga SPAK kapet pas 5 vitesh në Spanjë, rrezikon deri në 30 vite burg për trafik droge drejt Italisë

Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim nga SPAK për trafik ndërkombëtar droge, është arrestuar në Vigo, Spanjë, pas pesë vitesh në arrati. Ai ishte nën hetim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për përfshirje në një grup të organizuar kriminal që trafikon lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Sipas mediave spanjolle, operacioni u krye nga Roja Civile në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, pasi i arrestuari ishte identifikuar duke përdorur identitet të rremë kroat. Gjatë kontrollit, ai prezantoi një dokument fals, por oficerët e GOPD-së (Grupi i Operacioneve Speciale) të policisë në Vigo konfirmuan përmes Interpolit se bëhej fjalë për personin e kërkuar nga Shqipëria.

I arratisuri rezultonte në një Njoftim të Kuq të Interpolit, të lëshuar në maj të këtij viti, dhe rrezikon deri në 30 vite burgim për veprat penale të trafikut të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, ai kishte marrë pjesë në një operacion trafiku droge të nisur në shtator 2020, në bashkëpunim me dy trafikantë të tjerë, për transportin e një ngarkese droge me destinacion Italinë. Hetuesit dyshojnë se ai ishte ngarkuar të analizonte mostrën e lëndës narkotike para dërgesës, ndërsa më vonë kishte informuar bashkëpunëtorët për një bastisje policore në banesën e tij.

Gjatë kontrollit në atë kohë, policia kishte sekuestruar 100 gramë heroinë dhe pajisje për bllokimin e sinjaleve telefonike, të cilat përdoren shpesh në aktivitetet kriminale për të shmangur përgjimet. Pas këtij episodi, i pandehuri ishte vendosur në arrest shtëpiak, por më pas kishte shpëtuar dhe u largua nga Shqipëria, duke i shpëtuar operacionit të SPAK.

Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Spanjë, ndërsa autoritetet shqiptare dhe Interpol Tirana janë vënë në lëvizje për procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe fshehje aktivitetesh kriminale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033