Shqiptari dënohet për vrasje në Itali pas përplasjes për kontrollin e tregut të drogës në Frosinone

Mikea Zaka dënohet me 20 vite burg për vrasjen e Kasen Kasmit dhe plagosjen e tre shqiptarëve të tjerë në një lokal nate

Një konflikt i ashpër për kontrollin e trafikut të drogës në qytetin italian të Frosinones çoi në një ngjarje të përgjakshme mbrëmjen e 9 marsit të vitit të kaluar. Në qendër të qytetit, në lokalin “Shake Bar” në rrugën Via Aldo Moro, ndodhi një sulm me armë zjarri ku u vra Kasen Kasmi dhe u plagosën rëndë tre shqiptarë të tjerë.

Gjykata italiane shpalli fajtor Mikea Zaka për vrasje dhe tentativë vrasjeje, duke e dënuar me 20 vite burg. Sipas vendimit të gjyqtarit Antonello Bracaglia Morante, përplasja nuk lindi nga një veprim i çastit, por nga një konflikt i hershëm i lidhur me rrjetet e shpërndarjes së drogës në atë zonë.

Sipas dosjes së hetimit, viktimat ishin dërguar në lokal për të përballur Zakën. Ky i fundit kishte marrë masa dhe mbante armë me vete, i përgatitur për një përplasje të mundshme. Gjykata rrëzoi pretendimin për vetëmbrojtje, duke e cilësuar vrasjen si të qëllimshme dhe të paramenduar.

Në vendimin e gjykatës vihet në dukje edhe shqetësimi në rritje për përfshirjen e elementëve kriminalë shqiptarë në rrjete mafioze lokale. Zaka u përgjua në burg teksa komunikonte me persona në Shqipëri, ku kërkonte mbrojtje për familjen e tij pas ngjarjes.

Gjykatësi sqaroi se dënimi maksimal për këtë rast ishte 30 vite burg, por u reduktua në 20 për shkak të gjykimit të shkurtuar. Arsyetimi përfundimtar është përmbledhur në një dokument prej 72 faqesh që rikonstrukton në detaje të gjithë ngjarjen.

Ky rast ka ringjallur debatin mbi rolin e bandave të huaja në aktivitetet e paligjshme në Itali, veçanërisht në zonat ku krimi i organizuar është duke kërkuar zgjerim dhe ndikim të ri përmes rrjeteve të drogës. Autoritetet italiane po thellojnë hetimet për rrjete të tjera të lidhura me këtë rast.

Ndaj Postimin: