Shqiptarët e Novarës në qendër të një skeme të sofistikuar trafikimi droge në Itali

Një rrjet i trafikut të drogës që operonte në Novara dhe zonat përreth drejtohej nga një 41-vjeçar shqiptar dhe vëllai i tij, duke gjeneruar fitime mujore mbi 400 mijë euro.

Një organizatë kriminale italo-shqiptare, e përfshirë në trafikun e hashashit dhe kokainës, është goditur nga autoritetet italiane në Novara. Operacioni policor, i zhvilluar në orët e para të mëngjesit, përfundoi me arrestimin e pesë personave – tre shqiptarë dhe dy italianë – të përfshirë në këtë rrjet të mirëstrukturuar.

Në qendër të aktivitetit qëndronte një 41-vjeçar shqiptar me të kaluar kriminale, i cili dyshohet se drejtonte rrjetin duke e shpërndarë drogën në zonat Novara, Nibbiola dhe Vespolate. Hetimet, që zgjatën rreth nëntë muaj, zbuluan një strukturë të sofistikuar që arrinte të shpërndante çdo javë rreth 30 kilogramë hashash dhe 2 kilogramë kokainë.

Koka e organizatës mbështetej nga një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh të besuar, përfshirë vëllain e tij 39-vjeçar, i cili kishte rol kyç në ruajtjen dhe përgatitjen e drogës për shpërndarje. Roli i tij konsistonte në sigurimin e dozave nga një kompleks banimi në zonën e Lumellognos, i cili shërbente si bazë operative për të gjithë aktivitetin kriminal.

Një tjetër shqiptar, i njohur me nofkën “kamerieri”, 32 vjeç dhe pa precedent penal, kishte për detyrë shpërndarjen e substancave narkotike. Ai ishte përgjegjës për marrjen e mallit dhe dorëzimin e tij në destinacione të ndryshme të rajonit.

Nga pala italiane, dy persona me të kaluar kriminale, përkatësisht 55 dhe 52 vjeç, kishin ofruar hapësira në pronat e tyre për të fshehur drogën. Lëvizja e lëndës narkotike realizohej përmes një automjeti të modifikuar enkas, i pajisur me ndarje të fshehta nën sediljet e pasme, të cilat hapeshin me mikroçelësa të vendosur në pjesë të padukshme të tapicerisë.

Sipas mediave italiane, gjatë kontrolleve janë sekuestruar mbi 30 kilogramë hashash dhe mbi 2 kilogramë kokainë me cilësi të lartë. Sasia e përpunuar dhe shpërndarë e drogës vlerësohet të ketë gjeneruar të paktën 400 mijë euro në muaj, duke i bërë autoritetet të alarmohen për shkallën e aktivitetit dhe organizimin e lartë të grupit kriminal.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033