Shqiptarët e moshës së mesme: Më pak të lumtur se dy dekada më parë

Shqipëria po përjeton një prirje të kundërt me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore sa i përket lumturisë në grupmoshën e mesme.

Sipas Indeksit Global të Lumturisë 2024, shqiptarët e moshës së mesme (45-59 vjeç) raportuan nivele më të ulëta të lumturisë gjatë periudhës 2021-2023 në krahasim me vitet 2006-2010.

Në këtë grupmoshë, rënia e lumturisë në Shqipëri u mat me -0.3 pikë, ndërkohë që vendet fqinje shënuan rritje të dukshme. Serbia kryesoi rajonin, me një rritje prej 1.8 pikësh në lumturinë e grupmoshës 45-59 vjeç gjatë të njëjtës periudhë, e ndjekur nga Bullgaria dhe vende të tjera si Kosova, Rumania dhe Maqedonia e Veriut. Shqipëria ishte e vetmja në rajon që përjetoi prirje negative.

Shkencëtarët socialë e lidhin këtë trend me faktorë historikë dhe ekonomikë. Shqiptarët e moshës së mesme janë brezi që jetoi pjesën e parë të jetës në sistemin diktatorial dhe që më pas kontribuoi në rrëzimin e tij me shpresë për një të ardhme më të mirë. Megjithatë, pas 34 vitesh demokraci, shumë prej këtyre individëve ndihen të zhgënjyer, pasi ëndrrat për prosperitet ekonomik dhe përmirësim social ende nuk janë realizuar.

Në nivel global, Europa Qendrore dhe Lindore ka përjetuar rritjen më të madhe të lumturisë gjatë dekadës së fundit, duke reflektuar përmirësime ekonomike dhe sociale në rajon. Edhe Azia Lindore shënoi rritje, veçanërisht për popullsinë e saj të moshuar. Në kontrast, vendet si Afganistani përjetuan rënie drastike, me një humbje prej 2.6 pikësh në lumturinë e përgjithshme ndërmjet viteve 2013 dhe 2024.

Një tjetër gjetje e rëndësishme është prania më e madhe e emocioneve negative tek femrat në të gjitha rajonet për periudhën 2021-2023. Ndërkohë, emocionet pozitive mbetën të pandryshuara në përgjithësi, por vazhdojnë të jenë më të shpeshta tek të rinjtë se tek të moshuarit.

Pabarazia globale e lumturisë ka shënuar rritje me 20% në dekadën e fundit, duke reflektuar dallime të theksuara sipas rajonit dhe grupmoshës. Kjo pabarazi thellohet në vendet me zhvillim më të ulët, ku emocionet negative mbizotërojnë dhe ndikojnë veçanërisht grupmoshat e mesme dhe të moshuara.

Shqipëria, ndryshe nga fqinjët e saj, duket se ka humbur hapin në përmirësimin e mirëqenies emocionale të qytetarëve të saj, veçanërisht atyre që janë në kulmin e moshës. Ky fenomen ngre pikëpyetje mbi politikat sociale dhe ekonomike të ndjekura në dekadat e fundit dhe rëndësinë e tyre për përmirësimin e jetës së brezave të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera