Ndërsa vendet e Evropës kanë investuar prej dekadash në zhvillimin e hekurudhave si një mjet transporti efikas dhe miqësor ndaj mjedisit, Shqipëria ka mbetur pas në këtë drejtim. Në tre dekada tranzicioni, rrjeti hekurudhor në vend nuk ka njohur përmirësime të rëndësishme, ndërsa mungojnë investimet për linja të reja.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, në vitin 2023 Shqipëria kishte vetëm 9 metra linjë hekurudhore për kilometër katror, duke e bërë atë vendin me densitetin më të ulët të hekurudhave në Evropë. Në krahasim me vendet e rajonit, Serbia kryeson me 44 metra për km², e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (27.4 m/km²), Kosova (22.8 m/km²) dhe Mali i Zi (18.4 m/km²).
Megjithëse me vonesë, së fundmi janë ndërmarrë disa hapa për të rigjallëruar sistemin hekurudhor. Aktualisht është në ndërtim linja Tiranë-Durrës, e financuar nga BERZH, ndërsa janë hapur tenderët për segmentet Vorë-Hani i Hotit dhe Rrogozhinë-Vlorë. Po ashtu, linja Durrës-Prishtinë është në fazën e projektimit, ndërsa për Durrës-Rrogozhinë është kërkuar financim nga BERZH.
Ndërkohë, rrjeti hekurudhor i Bashkimit Evropian vazhdon të jetë një nga më të zhvilluarit në botë. Sipas Eurostat, në vitin 2023 BE kishte një total prej 200,947 km linja hekurudhore, me dendësinë më të lartë në Çeki (123.2 m/km²), Belgjikë (119.2 m/km²), Gjermani (109.5 m/km²) dhe Luksemburg (104.8 m/km²). Në kontrast, disa vende të BE-së si Greqia (14.0 m/km²) dhe Finlanda (19.4 m/km²) kishin rrjete më të kufizuara.
Një tjetër trend i rëndësishëm në Evropë ka qenë zgjerimi i linjave hekurudhore me shpejtësi të lartë, të cilat lehtësojnë udhëtimet ndërkufitare. Nga viti 2013 deri në 2023, ky rrjet u rrit me 2,744 km (+47.2%), duke arritur një total prej 8,556 km.
Spanja kryeson në këtë sektor me 3,190 km linja hekurudhore me shpejtësi të lartë, pasuar nga Franca (2,748 km) dhe Gjermania (1,163 km). Ndërkohë, Belgjika dhe Holanda kanë ruajtur një rrjet të kufizuar, me përkatësisht 211 km dhe 90 km linja të tilla.
Ndërsa BE-ja vijon të investojë në përmirësimin e transportit hekurudhor, Shqipëria ende mbetet në hapat e parë për modernizimin e infrastrukturës së saj, duke e bërë të domosdoshme një strategji më të qartë për zhvillimin e këtij sektori jetik.