Shqipëria U-16 mbyll në barazim miqësoren e dytë ndaj Hungarisë

Kombëtarja shqiptare U-16 zhvilloi sot ndeshjen e dytë miqësore kundër Hungarisë, e cila u luajt në “Shtëpinë e Futbollit” dhe përfundoi me rezultatin 2-2.

Kuqezinjtë u shfaqën të rrezikshëm që në fillim dhe kaluan në avantazh në minutën e 30-të me një gol të Elson Himallarit. Pas një pjese të parë të dominuar nga Shqipëria, skuadra e trajnerit Andrea Tedesco ruajti epërsinë deri në pushimin e ndeshjes.

Në fraksionin e dytë, Hungaria reagoi duke bërë disa zëvendësime dhe arriti të barazonte rezultatin në minutën e 72-të me Tamas Somogyi. Megjithatë, kuqezinjtë nuk u tërhoqën dhe kaluan sërish në avantazh në minutën e 80-të me një finalizim të bukur të Arbër Lleshit, i cili dribloi një mbrojtës dhe mposhti portierin kundërshtar.

Avantazhi i Shqipërisë nuk zgjati shumë, pasi vetëm pesë minuta më vonë, Vincent Gorog riktheu baraspeshën për Hungarinë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.

Trajneri Tedesco aktivizoi një numër të madh lojtarësh gjatë lojës, duke i dhënë mundësinë të rinjve të tregojnë aftësitë e tyre. Formacioni titullar për këtë takim përfshinte: Simon Lleshi (GK), Elton Dodaj, Frensi Mali, Petro Marku, Emiljano Malko, Afrim Gashi (C), Kledi Qosja, Eris Kurtulaj, Etrit Gjuzi, Elson Himallari dhe Ermal Ymeri.

Në pjesën e dytë, në fushë u aktivizuan edhe Zekaj, Lataj, Matraku, Lleshi, Ruci, Halili dhe Vata, duke i dhënë freski skuadrës në momente të ndryshme të lojës.

Dy miqësoret e zhvilluara ndaj Hungarisë shërbyen si një test i vlefshëm për stafin teknik, i cili pati mundësinë të analizojë performancën e lojtarëve dhe të eksperimentojë me skema të ndryshme loje.

Ndaj Postimin: