Shqipëria u-15 mposht Maqedoninë e Veriut me lojë bindëse në staduiumin “Skënderbeu”

Dopieta e Mattia Xhemalit i jep Shqipërisë U-15 fitoren e dytë radhazi ndaj Maqedonisë së Veriut me rezultatin 2-0.

Kombëtarja shqiptare U-15 ka regjistruar një tjetër fitore bindëse ndaj Maqedonisë së Veriut, këtë herë në miqësoren e dytë të zhvilluar në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë. Nën drejtimin e trajnerit Armand Dama, kuqezinjtë dominuan takimin nga fillimi deri në fund, duke e mbyllur me shifrat 2-0.

Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi Mattia Xhemali, i cili realizoi të dy golat për Shqipërinë. I pari erdhi në minutën e 16-të pas një aksioni të mirë të ndërtuar nga skuadra, ndërsa goli i dytë u shënua në minutën e 32-të, duke vulosur epërsinë që do të zgjaste deri në fund.

Trajneri Dama kishte zgjedhur këtë formacion titullar për sfidën: Marsid Hoxha në portë, mbështetur nga mbrojtësit Aendi Cekrezi, Joart Mile, Alesio Gjergji dhe Fabio Hyseni. Në mesfushë u pozicionuan Sebastian Sina, kapiteni Haxhi Rrena, dhe Klevis Basha, ndërsa përpara vepronin Xhemali, Rijad Syla dhe Kevin Rroci.

Kuqezinjtë nisën me intensitet të lartë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare. Golat e shpejtë dhanë siguri në lojë dhe i lejuan skuadrës të administrojë rezultatin në pjesën e dytë me qetësi dhe organizim.

Gjatë pjesës së dytë, tekniku shqiptar bëri disa zëvendësime për të dhënë hapësirë edhe lojtarëve të tjerë të grumbulluar. Në fushë u aktivizuan Vajushi, Dybeli, Bucka, Hakaj, Meco dhe Dani, të cilët dhanë kontributin e tyre në ruajtjen e avantazhit.

Me këtë fitore të dytë radhazi, Shqipëria U-15 dëshmon formën e mirë dhe përgatitjen serioze për përballjet e ardhshme, duke dhënë sinjale pozitive për të ardhmen e futbollit të moshave.

Ndaj Postimin: