Miliona turistë zbulojnë Shqipërinë, por ndotja, çmimet dhe ndërtimet e pakontrolluara po dëmtojnë imazhin kombëtar
Shqipëria ka vijuar të tërheqë turistë të huaj, me 4.76 milionë vizitorë gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, por përballë rritjes së interesit turistik qëndrojnë kritika serioze për ndotjen, çmimet e larta dhe mungesën e infrastrukturës. Në platformat online, vlerësimet për vendin janë të përziera: ndërsa natyra dhe mikpritja marrin nota të larta, kaosi urban, mungesa e pastërtisë dhe çmimet e pashpjegueshme i zhgënjejnë shumë turistë.
Saranda, një nga destinacionet më të njohura në Jug, rezulton më e kritikuara. Komentuesit e Tripadvisor dhe Google Review theksojnë mbipopullimin, ndotjen e plazheve dhe mungesën e vendeve për parkim. Vizitorët ndihen të mashtruar nga reklamat turistike që e paraqesin qytetin si parajsë. Për shumë të huaj, ajo shndërrohet në një përvojë stresuese për shkak të rrugëve të rrezikshme dhe mungesës së rregullave bazë për qarkullimin.
Edhe Ksamili, i njohur për ujin kristal dhe plazhet e mrekullueshme, nuk ka shpëtuar nga kritikat. Dendësia e shezlonëve, mbeturinat kudo dhe muzikat e zhurmshme që vijnë nga çdo lokal e kanë dëmtuar rëndë përvojën turistike. Disa vizitorë i kanë cilësuar çmimet si abuzive, ndërsa ofrimi i shërbimeve pa fatura është kthyer në normë.
Plazhet e tjera të Jugut si Borshi, Dhërmiu apo Drimadha përballen gjithashtu me ndotje, ndërtime pa kriter dhe mungesë të kontrollit. Në shumë raste, pushuesit janë përballur me mungesën e infrastrukturës minimale, si tualetet ose dushet, ndërkohë që çmimet për shezlonët dhe ushqimin kanë arritur nivele që nuk korrespondojnë me cilësinë.
Në kontrast me Jugun, Durrësi duket se ka fituar më shumë vlerësime pozitive. Me plazhe të përshtatshme për familje, çmime të moderuara dhe një ofertë më të gjerë akomodimi dhe argëtimi, ai është konsideruar një alternativë më e qëndrueshme. Shëtitorja dhe plazhi publik janë ndër atraksionet më të vlerësuara nga turistët.
Shëngjini dhe veçanërisht Rana e Hedhun kanë fituar zemrat e vizitorëve që kërkojnë qetësi dhe natyrë të paprekur. Megjithatë, edhe aty shqetësimi për ndërtimet që po afrohen drejt vijës bregdetare është i pranishëm. Vizitorët kanë ngritur alarmin për mbeturinat dhe mungesën e kontrollit urban, duke i kërkuar autoriteteve të ruajnë këtë pjesë të rrallë të bregdetit shqiptar.
Velipoja, e promovuar më pak në media, ka rezultuar surprizë për ata pak turistë që e kanë vizituar. Vlerësimet e larta lidhen me pastërtinë relative, çmimet e përballueshme dhe plazhin me rërë. Në mungesë të një fluksi të madh turistësh, zona ruan ende një atmosferë më të qetë dhe autentike, ndryshe nga vendet e mbipopulluara të Jugut.


