Kombëtarja shqiptare ka lënë pas humbjen ndaj Anglisë dhe ka shënuar një fitore të pastër 3-0 ndaj Andorrës, duke siguruar pikët e para në kualifikueset e Botërorit 2026. Ky rezultat i jep Shqipërisë një ndihmesë të madhe për vazhdimësinë e fushatës eliminatore, duke e kthyer besimin tek tifozët dhe lojtarët.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë, me kuqezinjtë që kërkonin të dominonin nga minuta e parë. Në minutën e 9-të, një goditje dënimi nga e djathta, e krosuar me precizitet nga Asllani, e gjeti Rey Manajn të pozicionuar perfekt, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë për të shënuar golin e parë të takimit. Ky gol i dha Shqipërisë avantazhin e merituar që e përforcoi shpejt.
Në minutën e 20-të, kuqezinjtë shënuan edhe golin e dytë pas një aksioni të shkëlqyer. Broja mori një pasim nga e djathta, duke kaluar mbrojtësin dhe portierin e Andorrës, për t’i dhënë topin Manajt që, edhe pse me presion, nuk gaboi dhe shënoi golin e dytë të takimit. Ky gol e çoi Manajn në kuotën e 10 golave me kombëtaren, duke barazuar dy figura legjendare të futbollit shqiptar, Sokol Kushtën dhe Igli Taren.
Me dy gola avantazh brenda 20 minutash, Shqipëria e pati ndeshjen nën kontroll. Edhe pse Andorra mundi të stabilizohej pas atij momenti të hershëm, nuk arriti të kërcënojë portën e shqiptarëve. Asllani tentoi dy herë nga distanca, por pa pasur sukses të dyja herët. Pjesa e parë përfundoi me shifrat 2-0 për Shqipërinë, një rezultat që i dha një ndihmë të madhe ekipit të Sylvinhos për të menaxhuar pjesën e dytë.
Në pjesën e dytë, ritmi i ndeshjes nuk ndryshoi. Shqipëria mbeti dominuesja e lojës dhe vazhdoi të kontrollonte topin, ndërsa Andorra u mundua të mbrohej sa më mirë për të shmangur më shumë gola. Rey Manaj pati një mundësi tjetër për të shënuar, por ky herë ishte i pafat. Myrto Uzuni, që zëvendësoi Brojën në minutat e fundit të ndeshjes, pati mundësi të shënonte, dhe në fund të takimit ai e shfrytëzoi, duke realizuar golin e tretë për Shqipërinë.
Ky triumf i jep Shqipërisë 3 pikë të rëndësishme dhe e ngjit në vendin e dytë në Grupin K, pas dy ndeshjeve të para të kualifikuesve. Fitorja është një shenjë e mirë për të ardhmen, dhe tashmë shikimi është drejtuar në sfidën e shumëpritur të muajit qershor ndaj Serbisë.