Shqipëria shkurton fondet për familjet në nevojë

Ndihma ekonomike në Shqipëri bie në nivelin më të ulët të 6 viteve, duke thelluar pabarazinë dhe varfërinë në një kohë me inflacion të lartë

Shqipëria, vendi me nivelin më të ulët të ndihmës ekonomike në rajon dhe në BE, po përballet me një rënie të ndjeshme të fondeve të dedikuara për familjet në nevojë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025 janë akorduar vetëm 12.8 miliardë lekë, një ulje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ky është niveli më i ulët i gjashtë viteve të fundit.

Në vitin 2020, fondet për këtë kategori arritën kulmin me 14.5 miliardë lekë, kryesisht për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë COVID-19. Megjithatë, pas atij viti, trendi ka qenë vazhdimisht në rënie. Në 2021 shuma ra në 13.9 miliardë lekë, në 2022 u tkurr në 13.49 miliardë, ndërsa 2023 solli vetëm një rritje të lehtë në 13.7 miliardë lekë. Në vitin 2024, fondet ranë përsëri në 13.5 miliardë lekë dhe këtë vit kanë shënuar një tjetër rënie të fortë.

Kjo tkurrje e mbështetjes financiare vjen në një periudhë kur inflacioni dhe kostoja e jetesës janë rritur ndjeshëm. Një raport i Kombeve të Bashkuara e ka kritikuar qartë politikën fiskale të Shqipërisë, duke theksuar se ajo nuk ka ndihmuar në uljen e pabarazisë sociale. Shqipëria mbetet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për mbrojtje sociale në raport me PBB-në në rajon dhe në Bashkimin Europian.

Sipas Bankës Botërore, mbështetja financiare për një familje shqiptare në nevojë është mesatarisht 70 euro, një shumë shumë më e ulët krahasuar me fqinjët: 304 euro në Federatën e BiH, 282 euro në Serbi, 267 euro në Mal të Zi, 207 euro në Maqedoninë e Veriut dhe 191 euro në Kosovë. Këto diferenca të mëdha tregojnë hendekun e thellë në politikat sociale të Shqipërisë.

Për shumë familje shqiptare, ndihma ekonomike është e vetmja burim të ardhurash, por aktualisht ajo është larg minimumit jetik dhe nuk mbulon nevojat bazë mujore. Situata rëndohet nga çmimet në rritje të ushqimeve, energjisë dhe qirave, duke ia bërë të pamundur përfituesve të sigurojnë një standard minimal jetese.

Kjo politikë e reduktimit të mbështetjes ekonomike jo vetëm që godet shtresat më të brishta, por edhe krijon një pengesë të fortë për objektivat e Shqipërisë për integrimin në BE deri në vitin 2030. Mospërputhja e nivelit të shpenzimeve sociale me standardet europiane është një sinjal alarmi që kërkon reagim të menjëhershëm nga qeveria.

Ndaj Postimin: