Shqipëria po përjeton diktaturën e dytë, sipas Sali Berishës: “Terrori i regjimit të sotëm”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me të Përndjekurit Politikë, ka theksuar se Shqipëria po kalon një moment të rëndë, duke përjetuar “diktaturën e dytë.”

Ai ka shprehur shqetësimin e tij për regjimin aktual, duke e krahasuar atë me diktaturën e dikurshme komuniste, dhe ka denoncuar përdorimin e mjeteve të dhunshme dhe terroriste ndaj kundërshtarëve politikë dhe opozitës.

“Shqipëria po përjeton një diktaturë të dytë, ku një pasardhës i xhelatëve të regjimit komunist përdor mjetet më të egra për të shkatërruar çdo lëvizje opozitare,” deklaroi Berisha. Ai e cilësoi këtë situatë si një regjim ku “narkodiktatori, ashtu si diktatori i viteve ’50, ka në duar çdo pushtet në këtë vend.”

Berisha theksoi se megjithëse diktatori i sotëm nuk ka Sigurim Shteti, si ai i dikurshëm, ka përvetësuar instrumente të tjera të terrorit që janë po aq të fuqishme. Ai theksoi se mjetet e përdorura për shtypjen e opozitës, si autokolonat që shfaqen në Shkodër dhe Durrës, janë po aq të rrezikshme sa ata të Sigurimit të Shtetit të dikurshëm.

“Diktatori i sotëm nuk ka një Sigurim Shteti, por përdor të njëjtat mjete terrori që përdorej në kohën e komunizmit,” tha Berisha. Ai shtoi se ligjet në Shqipëri janë shkelur dhe nuk respektohen, duke theksuar se “ligji është vullneti i padrinos” dhe se pasuritë e vendit janë konsideruar si pronë personale e klaneve kriminale.

Kreu i PD-së denoncoi gjithashtu se gjatë regjimit komunist, dhuna dhe represioni kishin një formë të organizuar, ndryshe nga sot, ku ligjet janë të shkruara, por nuk respektohen. “Në kohën e komunizmit, kishte një ligj të keq, por tani nuk ka asnjë ligj. Ligjet janë në rregull, por ato thjesht shkelmohen,” shtoi Berisha.

Berisha theksoi se diktatori i kaluar e kishte realizuar genocidin në Shqipëri, duke e krahasuar atë me regjimin nazist, ndërsa ai i sotmi është duke realizuar një genocid të ri, përmes largimit të qytetarëve. “Në 10 vjet, ky regjimi ka larguar 45% të popullatës. Ky është një pastrim etnik,” tha ai. Sipas Berishës, arsyeja e largimit të njerëzve është varfëria dhe mjerimi, ndërsa liria e shfaqur është vetëm një iluzion.

Ai përfundoi duke theksuar se, megjithëse duket sikur ekziston liri në Shqipëri, në fakt ky është një lloj lirie për t’u larguar, për të ikur nga një realitet i mjeruar dhe të pasigurt.

Ndaj Postimin: