Shqipëria planifikon miqësore me Gjibraltarin para sfidës zyrtare me Letoninë në Shtator

Kuqezinjtë do të testohen për herë të parë kundër Gjibraltarit, në prag të ndeshjes kualifikuese ndaj Letonisë më 9 shtator

Përpara përballjes së rëndësishme ndaj Letonisë më 9 shtator, në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës, Kombëtarja shqiptare pritet të zhvillojë një ndeshje miqësore për të testuar formën dhe strategjitë e ekipit.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvinho do të masë forcat me Gjibraltarin, një kundërshtar ndaj të cilit Shqipëria nuk ka luajtur kurrë më parë. Kjo sfidë do të shërbejë si përgatitje për ndeshjen zyrtare të shtatorit.

Kujtojmë se një miqësore mes dy ekipeve ishte planifikuar më parë për 20 nëntor të vitit 2020, por u anulua për shkak të pandemisë së Coronavirusit. Kjo do të jetë hera e parë që Shqipëria përballet me Gjibraltarin në një sfidë zyrtare apo miqësore.

Edhe pse data e saktë e zhvillimit të miqësores nuk është përcaktuar ende, pritet që ajo të organizohet në javët që paraprijnë sfidën me Letoninë, në mënyrë që Sylvinho të testojë elementët e rinj dhe formacionin bazë.

Kombëtarja shqiptare do të kërkojë jo vetëm një paraqitje bindëse ndaj Gjibraltarit, por edhe rritje të moralit dhe besimit për ndeshjet e rëndësishme që e presin në rrugëtimin drejt Botërorit.

Kjo miqësore konsiderohet një mundësi e mirë për të testuar skemat taktike dhe për të harmonizuar grupin, veçanërisht me lojtarët që kanë pak minuta me fanellën kuqezi.

Në pritje të konfirmimit zyrtar të datës dhe vendit të zhvillimit, pritet që FSHF të zyrtarizojë së shpejti detaje të tjera mbi organizimin dhe listën e lojtarëve të ftuar për këtë ndeshje.

Ndaj Postimin: