Kuqezinjtë e Sylvinhos dhurojnë një ndeshje plot emocione në “Air Albania”, duke fituar 4-2 ndaj Jordanisë pas një përmbysjeje të bukur dhe dominimi të plotë.
Shqipëria ka treguar sërish forcën e saj në miqësoret ndërkombëtare, duke mposhtur Jordaninë me rezultatin 4-2 në “Air Albania”. Ndeshja nisi me një ritëm të lartë, ku skuadra mike u shfaq më kërkuese në minutat e para dhe kërcënoi seriozisht portën kuqezi. Pas 15 minutash, një gabim në mbrojtje u dha mundësinë jordanianezëve të kalonin përpara, por portieri Dajsinani reagoi shkëlqyeshëm, duke ndalur Tamarin në momentin e fundit.
Në minutat që pasuan, presioni i miqve dha rezultat, teksa Al Rashdan zhbllokoi shifrat me një goditje të saktë me kokë. Megjithatë, fundi i pjesës së parë solli reagimin e pritur të kuqezinjve: një aksion i shpejtë i Bajramit detyroi kundërshtarin të shënojë në portën e tij, duke rikthyer barazinë.
Në pjesën e dytë, loja u bë më e qetë, por Sylvinho hodhi në fushë Brojën, i cili ndryshoi menjëherë lojën. Një pasim i artë nga Asllani e gjeti sulmuesin të lirë në zonë, dhe Broja realizoi me qetësi, duke kthyer avantazhin për Shqipërinë. Ishte një gol i rëndësishëm për të, pasi kthehet te goli pas një mungese të gjatë.
Spektakli nuk u ndal këtu. Arbër Hoxha, me një veprim individual fantastik, dërgoi topin në rrjetë dhe thelloi shifrat në 3-1, duke ndezur entuziazmin në tribunat e “Air Albania”. Bajrami, një nga më të mirët në fushë, vulosi rezultatin 4-1 me një gol të saktë në minutat e fundit të ndeshjes.
Në shtesë, Jordania arriti të shënojë golin e dytë me anë të Oluan, dhe rezultati u vulos 4-2 për Shqipërinë. Fitorja e kuqezinjve i jep besim trajnerit Sylvinho për përballjet e ardhshme dhe konfirmon formën në rritje të skuadrës para ndeshjeve të nëntorit, ku Shqipëria synon të sigurojë matematikisht kualifikimin në Play Off.
Tifozët në “Air Albania” u larguan me buzëqeshje, ndërsa atmosfera festive tregoi se kjo kombëtare ka fituar jo vetëm ndeshjen, por edhe zemrat e publikut shqiptar.