Shqipëria përfaqësohet në Kongresin Botëror të Ligjit 2025 në Santo Domingo: Alket Hyseni thekson se Demokracia është një përpjekje e përditshme

Në Kongresin Botëror të Ligjit 2025, Shqipëria u përfaqësua nga Alket Hyseni, Anëtar i Bordit të World Law Foundation, i cili theksoi rëndësinë e demokracisë si një përpjekje e vazhdueshme.

Ceremonia e hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit 2025 po zhvillohet në Santo Domingo, në Republikën Dominikane, ku Shqipëria është përfaqësuar nga Alket Hyseni. Në fjalën e tij përshëndetëse, Hyseni theksoi se demokracia nuk është një destinacion, por një përpjekje e përditshme që sfidohet vazhdimisht nga fenomene të tilla si korrupsioni, destabiliteti dhe tundimi i pushtetit.

Ai e nisi fjalimin duke reflektuar mbi përvojën e Shqipërisë, e cila pas periudhës së diktaturës ka kaluar në një periudhë të gjatë dhe të mundimshme transformimi. Z. Hyseni theksoi rëndësinë e reformave të thella në sistemin e drejtësisë, si dhe progresin e ndjeshëm të Shqipërisë në drejtim të forcimit të institucioneve dhe zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në një periudhë të shkurtër kohe.

Në vazhdim, ai vlerësoi lidershipin e Dr. Javier Cremades, President i World Jurist Association, dhe theksoi rolin e rëndësishëm të kësaj organizate në mbrojtjen e shtetit të së drejtës, sidomos në kohë të pasigurta për demokracinë globale. Z. Hyseni vuri në dukje se ky kongres është një mundësi e shkëlqyer për të bashkëpunuar me ekspertët dhe liderët globalë në fushën e drejtësisë.

Kongresi, i cili po zhvillohet nga data 4 deri më 7 maj, ka mbledhur mbi 1,500 delegatë nga më shumë se 60 shtete të botës. Kjo ngjarje ka tërhequr liderë shtetesh, kryetarë gjykatash kushtetuese, ekspertë të fushës së drejtësisë dhe profesionistë nga e gjithë bota.

Në përfundim të fjalës së tij, z. Hyseni shpalli me krenari se Tirana do të jetë nikoqire e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027. Kjo është një nder dhe një njohje e rëndësishme për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të demokracisë dhe sundimit të ligjit, duke pasqyruar angazhimin e vendit në forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Ndaj Postimin: