Shqipëria përballet me ndotjen kimike në pika kritike

Zonat industriale dhe minerare në Shqipëri mbeten të ngarkuara me mbetje kimike dhe metale të rënda, duke kërcënuar shëndetin publik dhe ekosistemet natyrore në mënyrë të vazhdueshme.

Në Shqipëri vijon të mbizotërojë trashëgimia e rrezikshme e ndotjes kimike. Raportet zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Planit Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve tregojnë se disa zona përfaqësojnë “pika të nxehta” me rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe natyrën.

Në krye të listës renditet Elbasani me kompleksin metalurgjik. Aty janë depozituar mbi 1.5 deri në 2 milionë ton mbetje ferronikeli dhe ferrokromi. Këto mbetje kanë ndotur rëndë lumin Shkumbin dhe tokat përreth. Po aty, zona e Balëzit mbart rrezikun e mbetjeve të arsenikut dhe nitrateve të amonit, një pjesë e të cilave mbetet ende pa u asgjësuar.

Industria e bakrit ka shkaktuar pasoja të rënda në Rrëshen, Kurbnesh, Rubik, Reps, Fushë Arrëz, Kalimash dhe Gjegjan. Arseniku dhe metalet e rënda kanë ndotur lumenjtë Mat, Fan, Osum dhe Drin, duke dëmtuar tokat bujqësore dhe burimet e ujit të pijshëm. Gjegjani përshkruhet si një nga zonat më kritike të vendit.

Pogradeci dhe rrethinat e liqenit të Ohrit mbeten të ekspozuara ndaj ndotjes së ferronikelit nga minierat e Përrenjasit dhe Gurit të Kuq. Në Rehovë, ndotja e mbeturinave të bakrit ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të gjelbërimit. Industria e naftës në Ballsh, Kuçovë dhe Patos-Marinzë ka përhapur hidrokarbure në ujë dhe ajër, duke ndotur deri në lumin Gjanica.

Fieri përballet me trashëgiminë e ish-Uzinës së Azotikut. Rreth 850 metra kub lëndë të ndotura dhe mbi 93 mijë kilogramë kimikate të ndryshme vijojnë të qëndrojnë në depo të pasigurta. Edhe Porto Romano në Durrës është ndër zonat më të rrezikuara, me kimikate të rënda si hekzaklorociklohekzan dhe krom VI, pavarësisht përpjekjeve për pastrim.

Një tjetër pikë kritike është stacioni i Bajzës në Shkodër, ku në fillim të viteve ’90 u depozituan mbi 80 ton mbetje kimike të importuara nga Gjermania. Shumë prej tyre nuk janë menaxhuar ende. Probleme të ngjashme gjenden edhe në Laç, Lushnjë dhe Vlorë, ku mbetjet e superfosfatit, PVC-së dhe metaleve të rënda kanë ndotur tokat dhe ujërat.

Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se situata mbetet e rrezikshme. Shumica e kimikateve nuk është neutralizuar ose asgjësuar, duke u shndërruar në kërcënim të përhershëm për shëndetin e qytetarëve dhe biodiversitetin. Pastrimi kërkon fonde të mëdha dhe një strategji të qartë afatgjatë, në mënyrë që ndotja të mos përhapet më tej.

Ndaj Postimin: