Të dhënat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15–29 vjeç në Europë paraqesin një situatë veçanërisht shqetësuese për Shqipërinë, e cila renditet e para për tkurrjen më të lartë demografike të kësaj grup-moshe.
Në janar të vitit 2025, Shqipëria numëronte 405 832 të rinj të moshës 15–29 vjeç, duke shënuar një rënie prej rreth 18 300 personash brenda një viti, ose -4.32 për qind. Ky ritëm tkurrjeje është katër herë më i lartë se ai i Serbisë, e cila pason me një rënie prej -1.03 për qind.
Ndërsa vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia regjistrojnë tkurrje minimale nën 1 për qind, Shqipëria po përballet me një rënie demografike që tejkalon ndjeshëm mesataren rajonale.
Diferenca bëhet edhe më e theksuar në krahasim me vendet që po shënojnë rritje të konsiderueshme të popullsisë së re. Spanja, Bullgaria dhe Rumania kanë regjistruar zgjerim të grup-moshës 15–29 vjeç, duke reflektuar një orientim të rinisë drejt tregjeve të tyre të punës dhe sistemeve arsimore.
Ndërkohë që disa shtete europiane po arrijnë të stabilizojnë ose të rrisin numrin e të rinjve, Shqipëria po thellon rënien, duke treguar se nevoja për politika efektive që mbajnë rininë në vend është bërë urgjente.
Tkurrja e të rinjve përbën një fenomen alarmant specifik për Shqipërinë, jo për rajonin, duke e lënë vendin me mungesë të forcës punëtore aktive dhe me kapacitete të kufizuara inovative. Humbja e rreth 18 300 të rinjve brenda një viti nënkupton largimin e një “qyteti” të tërë të përbërë nga studentë dhe profesionistë të rinj.
Në të njëjtën kohë, vende si Gjermania dhe Italia, destinacione kryesore të emigracionit shqiptar, po shënojnë rritje të popullsisë së re, duke përfituar drejtpërdrejt nga kapitali njerëzor që humbet Shqipëria. Nëse ky trend nuk frenohet, presioni mbi tregun e punës, bizneset dhe sistemin e pensioneve rrezikon të përshpejtojë plakjen demografike të vendit.