Shqipëria ka pensionet më të ulëta në Europë, duke shpenzuar dhjetë herë më pak se mesatarja e BE-së

Shqipëria shpenzon shumë pak për pensionet, vetëm 1,600 euro në vit për pensionist, duke mbetur shumë larg mesatares së Bashkimit Europian prej 16,100 eurosh për vit.

Kjo tregon qartë sfidat serioze që përballon sistemi i pensioneve në vend, pavarësisht fuqisë blerëse dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave për vitin 2022, Shqipëria zë vendin e fundit mes 35 vendeve europiane në shpenzimet për pensione për frymë. Me vetëm 5.3% të PBB-së të alokuara për pensione, vendi ndodhet dukshëm poshtë mesatares së BE-së që është 9.3%. Kjo diferencë pasqyron problematikat strukturore të sistemit social shqiptar.

Ndërkohë, vende të tjera si Mali i Zi, megjithëse shpenzojnë po të njëjtën përqindje të PBB-së për pensione, ofrojnë mbi dyfishin e pensionit mesatar në euro, duke arritur në 4,000 euro për pensionist. Serbia gjithashtu shpenzon më shumë, 6.3% të PBB-së, me një pagesë mesatare prej 3,500 eurosh për pensionist, duke treguar një mbështetje më të madhe ndaj të moshuarve.

Në Europë, situata e pensioneve vazhdon të jetë shqetësuese për brezat e rinj, të cilët shpesh deklarojnë se nuk do të dalin kurrë në pension për shkak të pasigurive financiare. Nga ana tjetër, pensionistët aktualë përballen me vështirësi në mbulimin e shpenzimeve mujore, për shkak të pensioneve të ulëta.

Grafiku i fundit i Eurostat-it përfshin të dhëna nga 35 vende europiane dhe tregon shpenzimet vjetore publike për pension për çdo përfitues, si dhe përqindjen e PBB-së që i kushtohet pensioneve. Këto të dhëna përfaqësojnë një panoramë të qartë të hendekut mes vendeve, duke nxjerrë në pah sfidat që pensionistët përballojnë në vende me të ardhura të ulëta.

Në krye të listës qëndrojnë Islanda, Luksemburgu dhe Norvegjia, me pensione vjetore mbi 30,000 euro për përfitues. Këto vende kanë pagat më të larta dhe të ardhura të qëndrueshme fiskale, shpesh të lidhura me sektorë të fuqishëm energjetikë dhe financiarë, si dhe sisteme kursimesh të detyrueshme që sigurojnë përfitime të larta për të moshuarit.

Po ashtu, Danimarka dhe Zvicra plotësojnë pesëshen e parë, duke kombinuar pensionet universale me skema profesionale të detyrueshme, që garantojnë një mbështetje të qëndrueshme financiare. Megjithatë, në këto vende, shpenzimet për pensione janë nën 9% të PBB-së, shumë më pak se mesatarja e BE-së prej 12.2%.

Në Europën Lindore, situata është ndryshe. Për shembull, në Poloni dhe Hungari, pjesa e PBB-së e dedikuar pensioneve është e ngjashme me atë të vendeve nordike, por pensionet vjetore mbeten të ulëta, nën 7,000 euro për përfitues. Kjo lidhet me produktivitetin e ulët dhe emigracionin, që kanë zvogëluar fuqinë punëtore dhe kontributet për sistemin.

Kur bëhet llogaritja sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), diferencat pak ngushtohen. Për shembull, pensionistët në Poloni marrin rreth 11,700 njësi PPS, por të ardhurat reale janë ende modeste. Përmirësimi i qëndrueshmërisë së sistemeve të pensioneve kërkon rritje të pagave, pjesëmarrje më të lartë të të moshuarve në punë dhe skema vullnetare kursimesh shtesë.

Ndaj Postimin: