Shqipëria hedh bazat e ligjit për lobimin duke kufizuar takimet informale dhe duke vendosur ndalesa për ish-zyrtarët

Shqipëria synon për herë të parë të rregullojë me ligj veprimtarinë e lobimit, një nga fushat më pak të transparenta të ndikimit në vendimmarrjen shtetërore. Këshilli i Ministrave ka paraqitur në Kuvend një projektligj që synon të bëjë publik çdo kontakt lobues përmes një regjistri të detyrueshëm, në kuadër të kërkesave të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Projektligji ka si objektiv parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës, duke përcaktuar qartë se kush ndikon në vendimet e zyrtarëve publikë dhe për llogari të kujt. Elementi kryesor i draftit është krijimi i Regjistrit të Lobimit, një bazë elektronike dhe publike që do të administrohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sipas projektligjit, askush nuk mund të ushtrojë aktivitet lobimi pa u regjistruar paraprakisht. Çdo lobist do të jetë i detyruar të deklarojë burimet financiare dhe shpenzimet e kryera për aktivitetin e tij çdo gjashtë muaj. Regjistri do të jetë i aksesueshëm për publikun, duke mundësuar verifikimin e subjekteve lobuese, interesave që përfaqësojnë dhe zyrtarëve të kontaktuar.

Drafti vendos gjithashtu kufizime të rrepta për personat që nuk lejohen të ushtrojnë lobim. Ndalimi është i përhershëm për individët e dënuar me vendim të formës së prerë për krime të rënda, ndërsa personat e dënuar për korrupsion ose vepra penale zgjedhore përjashtohen për një periudhë pesëvjeçare. Subjektet që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore ose sigurimet shoqërore ndalohen për tre vjet, ndërsa nuk lejohen të lobojnë edhe ata që janë në proces falimentimi, likuidimi apo që kanë pasuri të konfiskuara.

Projektligji parashikon edhe një periudhë ndalimi për ish-zyrtarët e lartë, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit. Ish-ministrat dhe ish-deputetët nuk do të mund të angazhohen në veprimtari lobimi për një periudhë dyvjeçare pas përfundimit të mandatit të tyre.

Nisma synon ta kthejë lobimin në një proces të rregulluar dhe të kontrolluar ligjërisht, duke e zhvendosur atë nga takimet informale drejt një mekanizmi transparent. Miratimi dhe zbatimi i ligjit mbetet tashmë në dorën e Kuvendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033