Pothuajse të gjithë të rinjtë shqiptarë janë çdo ditë në internet, por vetëm gjysma zotërojnë aftësi bazë digjitale, shumë më poshtë se BE.
Ndërsa teknologjia ka hyrë thellë në jetën e përditshme, Shqipëria vazhdon të mbetet pas në përgatitjen digjitale të brezit të ri. Të dhënat e fundit nga Eurostat nxjerrin në pah një kontrast shqetësues mes përdorimit të lartë të internetit dhe mungesës së aftësive bazë për ta përdorur atë në mënyrë të dobishme.
Në vitin 2024, 99% e të rinjve shqiptarë të moshës 16–29 vjeç janë online çdo ditë, duke kaluar edhe mesataren e Bashkimit Europian prej 97%. Por kur bëhet fjalë për aftësi digjitale bazë, përqindja bie në vetëm 51%, një nga më të ulëtat në kontinent, krahasuar me mesataren e BE-së prej 71%.
Më shqetësues është fakti se niveli i përgatitjes është njësoj i ulët si për vajzat ashtu edhe për djemtë, në një kohë kur në shumicën e vendeve të BE-së, femrat e reja kanë kaluar djemtë në zotërimin e aftësive digjitale. Për shembull, në Kroaci, 94% e vajzave kanë aftësi bazë kundrejt vetëm 80% të djemve.
Në vitin 2023, në nivel të përgjithshëm të BE-së, 73% e vajzave të reja dhe 69% e djemve zotëronin aftësi digjitale, çka tregon për një përparim të qartë të femrave në këtë aspekt. Përjashtim bëjnë disa shtete si Gjermania, Malta, Rumania, Estonia dhe Sllovakia, ku djemtë qëndrojnë përpara.
Pavarësisht se të rinjtë shqiptarë janë shumë aktivë online, pjesa tjetër e popullsisë nuk ndjek të njëjtin ritëm. Vetëm 83% e qytetarëve në total përdorin internetin çdo ditë, duke krijuar një diferencë prej 14 pikësh me të rinjtë. Ky është një hendek ndërbrezor më i thellë se mesatarja e BE-së, që qëndron në 9 pikë përqindjeje.
Në vende si Irlanda apo Holanda, përqindja e të rinjve që janë online çdo ditë është 100%, ndërsa edhe popullsia e përgjithshme ndodhet shumë afër – përkatësisht 98%. Këto shifra reflektojnë një shoqëri më të barabartë dhe më të integruar digjitalisht.
Kjo situatë në Shqipëri tregon se përdorimi i teknologjisë nuk po shoqërohet me përgatitje të duhur. Përdorimi sipërfaqësor i internetit pa aftësi funksionale për tregun e punës, lë të rinjtë të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe i përjashton nga mundësitë e epokës digjitale.