Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës pritet të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët brenda vitit 2026. Lajmi u konfirmua gjatë vizitës së ministres së Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, në Prishtinë.
Detaje konkrete për datën apo agjendën e mbledhjes nuk janë bërë publike, por kjo do të jetë e para mbledhje e përbashkët që nga viti 2022. Mbledhja e planifikuar për vitin 2023 në Gjakovë ishte anuluar për shkak të qëndrimeve të ndryshme të kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës në atë periudhë.
“Besojmë fort që ka ardhur koha që brenda vitit 2026 të kemi një takim të përbashkët të dy qeverive në Shqipëri ose në Kosovë, ku të diskutohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, fushat me interes të përbashkët”, deklaroi Spiropali.
Pas takimit bilateral, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, theksoi angazhimin për zbatimin e mbi 140 marrëveshjeve mes dy vendeve dhe për thellimin e bashkëpunimit.
“Në këtë frymë diskutuam sot për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për forcimin e ndërtimit të kapaciteteve tona të brendshme diplomatike”, u shpreh Konjufca.
Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke theksuar rëndësinë e statusit të vendit kandidat si hap i parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ajo deklaroi se normalizimi nuk mund të arrihet pa njohje reciproke.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Spiropali zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe drejtues të partive opozitare, si dhe bëri homazhe në kompleksin memorial në Prekaz.