Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të nënshkruajnë sot një marrëveshje të rëndësishme për shtrirjen e kabujve nënujorë midis Shqipërisë dhe Italisë, një projekt strategjik për transferimin e energjisë elektrike drejt Europës.
Ky hap konsiderohet një moment historik në sektorin energjetik dhe në bashkëpunimin rajonal.
Gjatë një eventi të mbajtur në Abu Dhabi, kryeministrja italiane u shpreh krenare për këtë nismë, duke theksuar rëndësinë e saj për prodhimin dhe transferimin e energjisë së gjelbër nga Shqipëria drejt Europës. Ajo e vlerësoi projektin si një shembull konkret të bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat globale.
“Kjo nismë tregon në mënyrë të prekshme se si partnerët mund të ndërtojnë forma të reja bashkëpunimi, edhe kur janë gjeografikisht të largët. Është një hap konkret drejt një lidhjeje globale që mundëson furnizimin me energji në mënyrë të dyanshme,” deklaroi ajo.
Kryeministrja theksoi se bota po përballet me transformime të mëdha, të cilat, sipas saj, duhet të shihen si mundësi dhe jo si pengesa. “Epoka komplekse që po jetojmë na ofron dy zgjedhje: të vuajmë transformimet ose t’i përqafojmë ato si mundësi. Ne duhet të zgjedhim të dytën,” u shpreh ajo me optimizëm.
Marrëveshja është një tjetër tregues i angazhimit të Shqipërisë dhe Italisë për të forcuar lidhjet energjetike dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë energjetike të rajonit dhe më gjerë. Projekti i kabujve nënujorë pritet të krijojë një rrjet të integruar energjetik, duke rritur kapacitetet dhe sigurinë e furnizimit në Europë.
Kjo nismë, sipas ekspertëve, përfaqëson një ndryshim të madh në qasjen ndaj energjisë së gjelbër dhe bashkëpunimit rajonal, duke vendosur thekse në diversifikimin dhe qëndrueshmërinë e burimeve energjetike.
Për Shqipërinë, ky projekt përfaqëson një mundësi për të rritur rolin e saj si një aktor strategjik në tregun energjetik europian, duke forcuar pozicionin e saj si një qendër rajonale për energjinë e ripërtëritshme.
Në përfundim të deklaratës së saj, kryeministrja italiane ritheksoi rëndësinë e përballjes me sfidat e sotme globale përmes nismave të guximshme dhe bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve. Ajo bëri thirrje për veprim konkret dhe përqafimin e transformimeve që mund të sjellin përfitime afatgjata për të gjithë.