Brigjet e lumit Seman në afërsi të fshatit Kuç janë mbuluar nga mbetje urbane, ndërtimore dhe plastike që po rrezikojnë mjedisin dhe shëndetin publik
Në fshatin Kuç, që i përket bashkisë Dimal dhe qendrës administrative Poshnje, situata mjedisore është alarmante. Brigjet e lumit Seman janë mbuluar nga mbetje të ndryshme: plastike, ndërtimore, organike dhe shtëpiake. Ndotja ka arritur në nivele kritike, ndërsa në zonë është krijuar një “landfill i heshtur” në anë të rrugës që lidh Urën Kuç me fshatin Goriçan.
Kjo ndotje e pandërprerë po ndikon rëndë në cilësinë e jetës së banorëve dhe imazhin e zonës, veçanërisht në këtë sezon turistik. raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Bashkia Dimal dhe qendra administrative Poshnje nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për menaxhimin e mbetjeve, ndonëse promovojnë vlerat natyrore në aktivitete publike. Ky kontrast i thellë mes propagandës dhe realitetit mjedisor po krijon zhgënjim të madh në komunitet.
Gazetarët e TV Apollon kontaktuan me kreun e qendrës administrative Poshnje, Hasan Lila, për të pyetur mbi hapat konkretë që janë ndërmarrë. Përgjigja ishte arrogante dhe e zakonshme: “Drejtohuni bashkisë”. Një qëndrim i tillë ilustron qartë mungesën e përgjegjësisë institucionale për një çështje kaq jetike.
Ndërkohë, ndotja nuk është e përqendruar vetëm në fshatin Kuç. Situata është e përhapur në gjithë territorin e bashkisë Dimal, përfshirë edhe qytetin e Urës Vajgurore. Rrugët, kanalet dhe sistemet e kanalizimeve janë të amortizuara, pa asnjë ndërhyrje efektive nga pushteti vendor.
Problemi thellohet më tej për shkak të mungesës së kontrolleve dhe masave ndëshkuese. As institucionet shtetërore nuk kanë reaguar për të ndëshkuar përgjegjësit, as qytetarët që vijojnë të hedhin mbeturinat në mënyrë të pakontrolluar nuk janë penalizuar.
Semanit, i cili përbëhet nga degët Osum dhe Devoll, i janë mohuar vlerat natyrore që dikur e bënin të veçantë. Ky lum që përshkon Myzeqenë dhe derdhet në det, tani po shndërrohet në një kanal mbetjesh. Ndërhyrja është urgjente dhe duhet të fillojë nga vetë bashkitë që shkelin ligjet për mbrojtjen e lumenjve – njëra prej tyre, bashkia Dimal.