Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar një lidhje live në Facebook në orën 08:30 të mëngjesit, por një problem teknik prishi planet.
Për shkak të një defekti në transmetim, lidhja nuk u aktivizua në Facebook, por u shfaq vetëm në Instagram.
Kur e kuptoi këtë pas disa sekondash, Rama reagoi me nervozizëm. Ai përplasi dorën mbi tavolinë dhe lëshoi një sharje në anglisht para se të ndërpriste transmetimin. Incidenti zgjati më pak se një minutë, por nuk kaloi pa u vënë re nga ndjekësit e tij online.
Disa minuta më vonë, kryeministri rifilloi lidhjen live në Facebook, siç ndodh çdo të martë dhe të enjte. Duke e komentuar incidentin me ndjekësit, ai u përpoq të shpjegonte reagimin e tij impulsiv.
Receta për pacientin Edi Rama:
— Kristi Kamberaj (@KamberajKristi) February 11, 2025
Gjethe mullage me ngjyrë llullaqe. Do t’i futësh në kavanoz bashkë me qumësht arrixheshke. Do t’i përziesh mirë e mirë me vaj ulliri nga Berati. Do ta pish herët në mëngjes, pa dhjerë qentë.
Ilaçet me orar, hë të keqen!🏢 pic.twitter.com/naogVq9dkv
“Mos u trembni, jam njeri pasionant. Kam edhe unë shpërthimet e mia, si kur nuk bëhet goli para portës!”, u shpreh Rama, duke e krahasuar momentin e tensionuar me emocionet e një ndeshjeje futbolli.
Ky moment i pazakontë shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa ndjekës e morën me humor, ndërsa të tjerë e kritikuan për tonin e ashpër.
Megjithatë, për kryeministrin, episodi nuk ishte asgjë më shumë se një reagim spontan ndaj një problemi teknik. Ai vazhdoi komunikimin e tij të zakonshëm, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve.
Kjo nuk është hera e parë që Rama shfaq emocione të forta në daljet e tij publike, por mbetet për t’u parë nëse ky incident do të ketë ndonjë ndikim më të madh në imazhin e tij politik.