Shpërthim në sarkofagun e ri të Çernobilit, Zelensky akuzon Rusinë për sulmin

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmë në sarkofagun e ri që mbulon reaktorin e katërt të termocentralit bërthamor të Çernobilit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka konfirmuar se shpërthimi shkaktoi një zjarr, por nivelet e radioaktivitetit brenda dhe jashtë zonës mbeten të qëndrueshme dhe normale. Sipas IAEA-së, nuk ka pasur viktima nga ky incident.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar menjëherë duke fajësuar Rusinë për këtë shpërthim, duke thënë se ai u shkaktua nga një dron sulmues rus i pajisur me një predhë të lartë shpërthimi. Në një postim të tij në rrjetet sociale, Zelensky theksoi se sulmi kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme në sarkofagun që mbron mbeturinat e reaktorit të shkatërruar të Çernobilit.

Sarkofagu i ri, i instaluar në vitin 2016, është një nga veprat më të mëdha inxhinierike të kohës. Me një lartësi prej 100 metrash, ai është i mjaftueshëm për të mbajtur struktura të tilla si Notre Dame në Paris ose Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë. Pesha e tij arrin 36,000 ton, dhe është projektuar për të qëndruar i paprekur për 100 vitet e ardhshme, duke parandaluar rrjedhjen e rrezatimit dhe duke mbrojtur hapësirën e reaktorit nga ndikimet e jashtme.

Kjo strukturë ishte e nevojshme për të zëvendësuar një rrethim të improvizuar prej betoni që ishte ndërtuar pas katastrofës bërthamore të vitit 1986. Pas disa vitet pas ndërtimit të tij, ky rrethim kishte filluar të paraqiste çarje të rrezikshme, duke bërë që ndërtimi i sarkofagut të ri të bëhej një prioritet për të siguruar mbrojtjen afatgjatë të Çernobilit.

Sarkofagu i ri ka për qëllim të parandalojë çdo rrjedhje të mundshme të rrezatimit dhe të mbrojë vendin nga lagështia dhe ngjarjet ekstreme të motit. Ky zhvillim është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të siguruar që pasojat e katastrofës bërthamore të Çernobilit të mbeten të kontrolluara dhe të mos kenë ndikime të tjera të rrezikshme për mjedisin dhe njerëzit.

Ky incident ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e strukturave bërthamore të Çernobilit dhe ka theksuar edhe më shumë tensionet aktuale mes Ukrainës dhe Rusisë. Shtimi i sulmeve ndaj objekteve të tillë të ndjeshme mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e rajonit dhe për sigurinë globale.

Ndaj Postimin: