Shpërthim në një apartament në Vlorë, bombola e gazit merr flakë në ballkon

Një shpërthim është regjistruar paraditen e sotme në një apartament në Vlorë, pasi një bombol gazi ka marrë flakë në ballkonin e banesës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “10 Korriku”, në zonën e Lungomares.

Sipas shërbimit zjarrfikës, shpërthimi është shkaktuar nga një defekt në bombolën e gazit, i cili ka sjellë rrjedhje gazi dhe më pas përfshirje nga flakët. Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale në ballkonin ku ndodhej bombola, si edhe në një pjesë të ambientit të brendshëm të apartamentit.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe policia, të cilat kanë ndërhyrë për neutralizimin e flakëve dhe sigurimin e zonës. Situata është vënë shpejt nën kontroll, duke shmangur përhapjen e zjarrit në apartamente të tjera.

Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Autoritetet po verifikojnë rrethanat e plota të incidentit dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në përdorimin dhe mirëmbajtjen e bombolave të gazit për gatim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033