Shpërthim me lëndë plasëse në Selitë e Vogël: Në shënjestër makina e nipit të ish-zv.prokurorit Thoma Jano

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Selitës së Vogël, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit Dritan Jano, 39 vjeç, nip i Thoma Janos, ish-zëvendësprokuror i Përgjithshëm dhe përgjegjës për sektorin e përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas të dhënave paraprake hetimore, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët kanë lëvizur me dy automjete. Njëri prej tyre ka zbritur nga mjeti, është afruar pranë portës së banesës së 39-vjeçarit dhe ka hedhur lëndën plasëse në oborrin e shtëpisë, ku ishte parkuar automjeti i tij. Pas shpërthimit, autorët janë larguar nëpër rrugicat e zonës.

Dritan Jano ka deklaruar para hetuesve se nuk ka konflikte me asnjë person dhe se nuk ka dijeni për arsyen pse i është vendosur lënda plasëse në makinë. Ai ka pranuar se ka pasur vetëm problematika të vogla të lidhura me punën, por asgjë që të çojë në një ngjarje të tillë.

Sipas burimeve, prej rreth 10 vitesh Jano ka qenë i punësuar në Institutin e Metrologjisë dhe nuk rezulton person i skeduar më parë nga policia. Një nga pistat që po hetohet lidhet me faktin se ai është nip i Thoma Janos, i cili deri pak kohë më parë ka mbajtur funksionin e zëvendësprokurorit të Përgjithshëm për çështjet e përgjimeve.

Po ashtu, hetuesit po verifikojnë edhe aktivitetin profesional të bashkëshortes së tij, Dorina Jano, e cila rezulton të jetë një nga administratorët e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pranë Ministrisë së Brendshme.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motiveve të shpërthimit.

Ndaj Postimin: