Në Shtetet e Bashkuara, lajmi i mundshëm për blerjen e Warner Bros dhe HBO nga Netflix ka ndezur diskutime të forta mbi rrezikun e monopolizimit të tregut të “streaming”-ut. Edhe pse ekzistojnë platforma të tjera si Amazon Prime, Disney+ apo Hulu, ato shihen si konkurrentë të një linje të dytë krahas gjigantëve që dominojnë industrinë.
Ndërkohë në Shqipëri po ndodhin lëvizje të ngjashme, por pa transparencën dhe debatin publik që shoqëron zakonisht proceset e tilla në tregjet e mëdha. Prej kohësh flitet se Tring mund të kalojë nën kontrollin e një grupi të vetëm, ndërsa sipas zërave në treg, edhe DigitAlb mund të jetë pjesë e së njëjtës tendencë përqendrimi.
Ndryshimi mes dy realiteteve qëndron në mënyrën si trajtohen proceset. Në SHBA çështja hap diskutime, analizohet nga rregullatorët, vlerësohet ndikimi te konkurrenca dhe te konsumatori. Në Shqipëri, këto lëvizje ndodhin në heshtje, shpesh përmes kompanive të sapo krijuara, me pronësi të mjegullt, ndërsa autoritetet rregullatore nuk reagojnë.
Mungesa e analizës së tregut dhe e transparencës rrit pasiguritë te konsumatorët, të cilët në fund mbeten më të pambrojturit në një sektor ku konkurrenca është e kufizuar dhe çmimet shpesh nuk pasqyrojnë realisht cilësinë e shërbimit.
Në një treg të vogël si Shqipëria, përqendrimi i operatorëve mediatikë apo të “pay TV” është edhe më kritik, pasi çdo lëvizje ka ndikim të drejtpërdrejtë në pluralizmin mediatik, aksesin e informacionit dhe lirinë e konsumatorit për të zgjedhur.
Në mungesë të reagimit institucional, mbetet e paqartë se si do të evoluojë tregu dhe çfarë do të nënkuptojë kjo për përdoruesit dhe konkurrencën në të ardhmen.


