Shpërndante lëndë narkotike në Vlorë, arrestohet 45-vjeçari pas operacionit policor “White Snow”

Operacioni policor i koduar “White Snow” ka çuar në arrestimin e një 45-vjeçari, i cili dyshohet për shpërndarjen e drogave të forta, kryesisht kokainë, në qytetin e Vlorës.

Pas një hetimi 3-mujor të kryer me metoda speciale, policia arriti të sigurojë prova të mjaftueshme dhe të finalizojë me sukses operacionin, duke i dhënë fund kësaj veprimtarie kriminale.

Hetimi i kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, rezultoi në lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Vlorë. Pas arrestimit, gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestruan 222 doza kokainë, një peshore elektronike për ndarjen e dozave, dy aparate celularë dhe një automjet, prova që lidhin të dyshuarin me shpërndarjen e kokainës në qytet. Sipas hetimeve, 45-vjeçari ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga shitja e lëndëve narkotike, duke shpërndarë kokainën në zona të ndryshme të Vlorës.

Në vijim të hetimeve, autoritetet po punojnë për zbardhjen e detajeve të tjera dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale janë kaluar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Ky operacion është një hap tjetër në luftën kundër krimit të organizuar dhe shpërndarjes së drogës në Shqipëri. Policia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të pastruar mjedisin e tyre nga aktivitetet kriminale dhe për të mbështetur luftën kundër këtij fenomeni.

Ndaj Postimin: