Shpenzimet shëndetësore dhe sigurimi privat në rënie

Sigurimi privat i shëndetit mbetet i pazhvilluar, ndërsa familjet shqiptare shpenzojnë shumë nga xhepi për shërbime dhe produkte shëndetësore

Sigurimi privat i shëndetit po vijon të ketë një ecuri të dobët edhe në vitin 2025, pavarësisht nevojës për mbulim më të gjerë të shërbimeve. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për shtatë muajt e parë të këtij viti, primet e shkruara bruto në sigurimin e sëmundjeve ishin 561 milionë lekë, vetëm 1.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Edhe gjatë vitit 2024, ky treg nuk shfaqi gjallëri, me rritje vjetore prej 5.1%, nën mesataren 7% të tregut të përgjithshëm të sigurimeve. Pjesa më e madhe e kontratave vjen nga paketat që ofrojnë punëdhënësit për punonjësit, ndërsa sigurimet individuale përbëjnë vetëm një segment të vogël.

Shqipëria ka një skemë publike sigurimi shëndetësor që mbulon shumicën e shërbimeve në sektorin publik dhe, në disa raste, edhe në spitale private. Megjithatë, ky model nuk ka nxitur zhvillimin e sigurimit privat, pasi mbulimi teorik nuk përkthehet në akses të plotë në praktikë.

Statistikat e INSTAT për vitin 2023 tregojnë se familjet shqiptare shpenzuan rreth 35 miliardë lekë nga xhepi për shëndetin, që përbënin 4.3% të buxhetit të tyre mesatar dhe rreth 39% të totalit kombëtar të shpenzimeve për shëndetësinë. Shifra është e barabartë me 64% të buxhetit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Kontributi i sigurimeve private mbetet minimal. Në vitin 2023, kompanitë paguan vetëm 547 milionë lekë në dëmshpërblime, ndërsa në 2024 shifra u rrit lehtë në 618 milionë lekë – më pak se 1.6% e shpenzimeve totale të familjeve për shëndetin. Ky raport dëshmon për një mbulim shumë të ulët nga tregu privat.

AMF nuk jep të dhëna të detajuara vetëm për produktin e sigurimit shëndetësor, por raportet tregojnë se bilanci teknik për produktet e shëndetit dhe aksidenteve ka qenë pozitiv, edhe pse në rënie. Në 2024, rezultati financiar ishte 15 milionë lekë – niveli më i ulët në pesë vitet e fundit, me raport dëme/prime neto 53.7% dhe raport të kombinuar shpenzimesh 99.3%.

Ndaj Postimin: