Gjykata Administrative e Tiranës ka shortuar padinë e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, kundër institucionit të Presidencës dhe prokurorit të posaçëm Ols Dado. Për shqyrtimin e çështjes është përzgjedhur gjyqtari administrativ Hazbi Balliu.
Në padinë e depozituar, Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror, duke pretenduar se ky emërim është kryer në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, Dado është emëruar në vitin 2008 pa kryer Shkollën e Magjistraturës, e cila, sipas legjislacionit në fuqi në atë kohë, përbënte kriter të detyrueshëm për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Veliaj thekson se Ols Dado ka kaluar nga statusi i noterit drejtpërdrejt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet ligjore të parashikuara. Sipas padisë, ky emërim i pretenduar si i paligjshëm ka prodhuar pasoja të rënda institucionale dhe administrative.
Në dokumentin gjyqësor pretendohet se veprimet e kryera nga Dado në ushtrimin e funksionit të tij si prokuror kanë ndikuar drejtpërdrejt në çështje që lidhen me administrimin vendor dhe interesin publik, duke prekur jo vetëm Bashkinë e Tiranës, por edhe funksionimin e institucioneve shtetërore.