Përfaqësues të Shoqatës së Prokurorëve morën pjesë në një tryezë dialogu të organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, me fokus “Paraburgimi, sfidat dhe masat alternative”. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit për forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit në zbatimin e standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në vend.
Shoqata e Prokurorëve e cilësoi këtë tryezë si një hap të rëndësishëm, duke vënë në dukje rolin e Këshillit të Evropës në promovimin e të drejtave të njeriut. Sipas saj, mbetet thelbësore kryerja e studimeve dhe analizave të plota mbi mënyrën e aplikimit të paraburgimit dhe alternativave ndaj tij.
Të dhënat zyrtare tregojnë se masa e arrestit në burg kërkohet nga prokurorët në rreth 19 deri në 20 për qind të rasteve. Në shumicën dërrmuese, rreth 98 për qind, këto kërkesa vijnë pas arrestimeve në flagrancë ose ndalimeve nga Policia Gjyqësore, ndërsa vetëm një përqindje e vogël lidhet me hetime në gjendje të lirë.
Sipas përfaqësuesve, arresti në burg kërkohet kryesisht për vepra të rënda penale, ku masat alternative shpesh konsiderohen të papërshtatshme. Një shqetësim i veçantë mbetet dhuna në familje, ku ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Në takim u theksua nevoja për analiza më të thelluara mbi efektivitetin e masave alternative, si dhe mbi mundësitë reale të mbikëqyrjes së tyre nga Policia Gjyqësore. Kufizimet në burime njerëzore dhe mungesa e pajisjeve për monitorim elektronik mbeten sfida konkrete.
Një tjetër çështje e ngritur ishte edhe kohëzgjatja e paraburgimit dhe fazat procedurale në të cilat ndodhen të paraburgosurit, si dhe raporti mes rasteve që përfundojnë me dënim dhe atyre që rezultojnë me pafajësi apo masa alternative.
Shoqata e Prokurorëve rithekson angazhimin e saj për të kontribuar në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, me synim garantimin e një balance mes efikasitetit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.