Shoqata e Gjyqtarëve i përgjigjet Ramës: “Deklaratat janë presion dhe rrezik për pavarësinë e drejtësisë”

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Kryeministrit për çështjen gjyqësore që përfshin Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës. Shoqata thotë se mënyra e komunikimit të Kryeministrit përbën presion të hapur ndaj gjyqtarëve, ndërsa çështja po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe në gjykatat e posaçme.

Në deklaratë thuhet se mesazhet e përditshme politike krijojnë një klimë mosbesimi ndaj drejtësisë dhe mund të përdoren më pas si arsye për ndërhyrje në sistem. Shoqata paralajmëron se pavarësia e gjyqësorit është shtylla kryesore e demokracisë dhe çdo ngacmim apo presion është një sinjal alarmi.

Shoqata sjell në vëmendje edhe paralajmërimet e Komisionit Evropian për presionet politike ndaj drejtësisë në Shqipëri. Ajo thekson se gjyqtarët “i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”, dhe se vendimet e tyre janë të vlefshme pavarësisht reagimeve politike.

Në fund, Shoqata u kërkon të gjithë zyrtarëve të lartë të ndalojnë çdo lloj ndërhyrjeje dhe të respektojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor, duke e quajtur presionin publik “formën më të rrezikshme të shkeljes së ndarjes së pushteteve”.

Ndaj Postimin: