Shoqata e fëmijëve dhe të rinjve me diabet ka denoncuar se prej rreth gjashtë muajsh pacientëve u kërkohet të paguajnë 600 lekë për çdo penë insuline, ndërkohë që më parë këto barna përfitoheshin falas.
Përfaqësuesi i shoqatës, Asim Toro, deklaroi se situata është e paprecedentë në tregun shqiptar, duke theksuar se insulinat nuk janë shitur më parë në këtë formë për pacientët që i përfitojnë me rimbursim.
Shoqata i ka drejtuar një letër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas përgjigjes së marrë, insulinat vijojnë të rimbursohen 100%. Megjithatë, sipas shoqatës, lloji i insulinës që pacientët merrnin falas është kaluar si alternativë me pagesë, ndërsa një tjetër lloj ofrohet falas, për të cilin pacientët shprehin dyshime.
Shoqata paralajmëron se do t’i drejtohet edhe organizatave ndërkombëtare në Bashkimin Evropian për të ngritur shqetësimin.
Sipas Toros, me listën e re të barnave të rimbursueshme ekziston rreziku që edhe medikamente të tjera jetike të kalojnë nga falas në me pagesë, pasi si alternativë e parë po planifikohen barna më të lira, për të cilat shoqata pretendon se mund të cenojnë cilësinë.