Shoqata e Bankave kundërshton kufirin prej pesëqind mijë lekësh për pagesat me para në dorë të individëve, Brumbulli: Masa nuk ndihmon luftën kundër informalitetit

Shoqata Shqiptare e Bankave ka kundërshtuar propozimin e qeverisë për vendosjen e një tavani prej pesëqind mijë lekësh për pagesat me para në dorë të individëve, duke e konsideruar këtë nivel tepër të lartë dhe jo në përputhje me përpjekjet për të luftuar informalitetin në ekonomi.

Gjatë dëgjesës në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, u shpreh se ideja për kufizimin e përdorimit të parasë fizike është pozitive në parim, por shuma e propozuar nga qeveria nuk i shërben këtij qëllimi.

“Është një hap i mirë që kufiri për bizneset ulet nga njëqind e pesëdhjetë mijë lekë në njëqind mijë lekë, sepse ndihmon formalizimin. Por tavanin prej pesëqind mijë lekësh për individët nuk e kuptojmë aspak. Ky nivel është jashtë çdo analize dhe përvoje. Vendet e rajonit, si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, e kanë kufirin rreth pesëqind euro, si për bizneset ashtu edhe për individët,” u shpreh Brumbulli.

Ai theksoi se kufiri i propozuar nuk përputhet me realitetin ekonomik shqiptar:

“Nuk ka logjikë të lejohet një pagesë me para në dorë pesëqind mijë lekë, kur paga mesatare është rreth nëntëdhjetë mijë lekë dhe ndërkohë kufiri për bizneset është njëqind mijë lekë. Ne propozojmë që tavanit t’i ulet niveli në pesëdhjetë ose gjashtëdhjetë mijë lekë.”

Brumbulli nënvizoi se ekonomia shqiptare ka ende një nivel të lartë informaliteti dhe se masat duhet të jenë të qëndrueshme dhe të harmonizuara me situatën reale, jo të ndërtuara duke marrë si shembull vendet me treg shumë të formalizuar.

Në paketën fiskale të qeverisë janë përfshirë edhe masa të tjera, përfshirë detyrimin e bizneseve të caktuara për të pajisur pikën e shitjes me terminale elektronike të pagesave (POS). Ky detyrim duhet të përmbushet deri më tridhjetë maj të vitit njëzet e gjashtë për sektorë të tillë si hotelet, transporti dhe shërbimet publike, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë afati është tridhjetë e një dhjetor i vitit njëzet e gjashtë.

Megjithatë, një pjesë e bizneseve të vogla do të përjashtohen nga detyrimi, sidomos ato që operojnë në zona pa mbulim interneti ose me kufizime të tjera të përcaktuara në projektligj.

Ministria e Financave thekson se këto ndryshime synojnë rritjen e përdorimit të mjeteve elektronike, forcimin e gjurmueshmërisë së transaksioneve, si dhe reduktimin e evazionit fiskal. Sipas saj, Banka e Shqipërisë dhe operatorët e sistemit të pagesave po marrin masa për uljen e kostove, përfshirë ofrimin e terminaleve POS falas për dymbëdhjetë muaj nga Mastercard dhe përafrimin me rregulloren e Bashkimit Evropian që kufizon tarifat bankare.

Ndaj Postimin: