Një drejtues autobusi nga Vlora është arrestuar në Portin e Durrësit pasi gjatë kontrollit rutinë të organeve policore dhe doganore iu gjetën lëndë narkotike, armë zjarri, bizhuteri dhe një shumë e madhe parash. I arrestuari është identificuar si Dritan Ferrunaj, 42 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik të tij, në çantën e brezit u zbulua një sasi prej nëntëdhjetë e dy gramësh lëndë e dyshuar kokainë si edhe disa bizhuteri të dyshuara floriri. Kontrollet u shtrinë edhe në brendësi të autobusit që ai drejtonte, ku u gjet një çantë shpine me njëzet e nëntë mijë euro dhe një armë zjarri së bashku me pesë krehra.
Policia e Durrësit bën të ditur se ndaj të dyshuarit rëndon një sërë akuzash të parashikuara në Kodin Penal, përfshirë trafikim narkotikësh, trafikim armësh dhe municioni, disa forma të kontrabandës, mosdeklarim të vlerave monetare në kufi, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave.
Operacioni i quajtur Full Scan u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policise Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe autoritetet doganore, me qëllim parandalimin e tentativave për futjen e mallrave të paligjshme përmes portit. Kontrollet u kryen në vijën e dytë të hyrjes në port, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Pas sekuestrimit të provave, specialistët e antidrogës kryen arrestimin në flagrancë të 42 vjeçarit. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të dokumentuar tërësisht veprimtarinë e dyshuar dhe për të identifikuar mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e procedurave ligjore.