Shkrepja me armë në klub nate në Brooklyn trondit qytetin

Tre persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën pas një përplasjeje me armë në një klub nate në Brooklyn, ku dyshohet se ishin përfshirë disa autorë.

Policia e Nju Jorkut njoftoi se ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në “Taste of the City Lounge”, në Franklin Avenue, Crown Heights. Sipas komisariates Jessica Tisch, gjithçka nisi pas një konflikti mes klientëve brenda klubit, i cili shpejt u përshkallëzua në të shtëna. Hetimet paraprake flasin për deri në katër persona të armatosur të përfshirë.

Telefonatat për ndihmë mbërritën në orën 03:27 dhe patrullat reaguan brenda pak minutash. Në vendngjarje u gjetën 42 gëzhoja nga armë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa pranë zonës u sekuestrua një armë zjarri, pa qenë ende e qartë nëse është përdorur gjatë incidentit. Viktimat ishin një 19-vjeçar, një 27-vjeçar dhe një 35-vjeçar. Ndërkohë, të plagosurit u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve të ofrojnë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit. Policia dyshon se ngjarja lidhet me grupe kriminale rivale, çka shton frikën për akte hakmarrjeje në ditët në vijim.

Kryebashkiaku Eric Adams, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, e cilësoi të papranueshme dhunën me armë dhe paralajmëroi për pasojat e mundshme në komunitet. Ai u zotua për masa të forta kundër hyrjes së armëve në qytet dhe tha se bashkëpunimi mes autoriteteve lokale, shtetërore dhe federale është thelbësor për ta ndalur këtë fenomen.

Adams, i angazhuar aktualisht në fushatën e tij për rizgjedhje, tha se dhuna e kësaj përmase lë plagë të thella tek qytetarët dhe dëmton ndjeshëm ndjenjën e sigurisë. Për të shmangur përshkallëzimin, janë dërguar ekipe të menaxhimit të krizave në lagje.

Nga ana tjetër, klubi ku ndodhi ngjarja reagoi me një mesazh në rrjete sociale, duke e quajtur tragjedinë një tronditje të madhe dhe duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Lokali theksoi se siguria e klientëve ka qenë gjithmonë prioritet dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me organet hetimore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033