Shkollat pa telefona, nis epoka e disiplinës së re

Nga sot, 26 shtator 2025 ndalohet përdorimi i telefonave nga nxënësit dhe mësuesit në të gjitha shkollat parauniversitare, me masa disiplinore në rast shkeljesh.

Një udhëzim i ri i Ministrisë së Arsimit ka hyrë në fuqi duke ndaluar përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera të ngjashme në çdo institucion arsimor parauniversitar. Nxënësit duhet t’i lënë pajisjet në kutitë përkatëse në klasë që në nisje të mësimit dhe nuk lejohet t’i përdorin deri në fund të orëve.

Edhe mësuesit përfshihen në këtë rregull, ku lejohet përdorimi i telefonit vetëm në raste emergjente ose kur është i lidhur ngushtë me procesin pedagogjik të aprovuar nga drejtoria e shkollës. Çdo shkelje sjell sekuestrimin e pajisjes, e cila i dorëzohet prindit pas njoftimit zyrtar.

Prindërit kanë përgjegjësinë të bashkëpunojnë me institucionet dhe të garantojnë që fëmijët e tyre nuk mbajnë telefona gjatë kohës në shkollë. Udhëzimi detyron drejtuesit e shkollave të informojnë prindërit dhe nxënësit që në fillim të vitit për këto rregulla, si dhe të raportojnë periodikisht mbi zbatimin e tyre tek zyra vendore e arsimit.

Në rast shkeljeje të parë, nxënësi paralajmërohet dhe prindi njoftohet menjëherë. Përsëritja e shkeljes nga nxënësit e arsimit bazë sjell këshillim nga Komisioni i Disiplinës dhe detyrim për pjesëmarrje në aktivitete edukative. Për nxënësit e shkollave të mesme, masat janë më të ashpra dhe mund të përfshijnë sanksione disiplinore të rregulluara nga statutet e brendshme.

Drejtoria e shkollës është përgjegjëse për sigurimin e kutive për depozitimin e pajisjeve, për mbikëqyrjen e rregullit dhe për komunikimin me prindërit. Ky udhëzim synon rritjen e disiplinës, përmirësimin e përqendrimit në mësim dhe forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë mes nxënësve dhe mësuesve.

Me këtë vendim, Shqipëria ndjek praktika të ngjashme ndërkombëtare, duke e konsideruar ndalimin e telefonave si një hap të domosdoshëm për mësim më cilësor dhe për edukim më efektiv të brezave të rinj.

Ndaj Postimin: