Bashkia e Shkodrës do të vendosë 12 tualete të lëvizshëm në zonat turistike deri në fund të vitit 2025, me një fond prej 1.6 milionë lekësh.
Mungesa e tualeteve publike në zonat turistike është kthyer prej vitesh në shqetësim për vizitorët, sidomos për turistët e huaj që prej kohësh e kanë evidentuar këtë problem në forume e rrjete sociale. Shumë prej tyre e konsiderojnë si një mangësi serioze në përvojën e udhëtimit në Shqipëri, ndërsa institucionet lokale kanë hezituar të veprojnë.
Këtë herë, duket se Bashkia e Shkodrës ka vendosur të reagojë. Përmes një tenderi të shpallur nga Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike, synohet marrja me qira e 12 tualeteve portative për përdorim në zonat turistike të qytetit. Tenderi ka një fond limit prej 1.6 milionë lekësh, ose rreth 16 mijë euro.
Sipas dokumenteve të publikuara, këto tualete do të shërbejnë si zgjidhje e përkohshme për të përmirësuar infrastrukturën në zonat me fluks të lartë vizitorësh, si liqeni i Shkodrës, plazhet, zonat kulturore dhe pjesa qendrore e qytetit. Megjithatë, ende nuk është bërë publik vendndodhja e saktë e secilit njësi sanitare.
“Përdorimi i tualeteve portative nuk lidhet vetëm me domosdoshmërinë funksionale, por edhe me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në zonat turistike,” thuhet në specifikimet e tenderit. Çdo njësi do të pastrohet dy herë në javë, konkretisht ditët e hëna dhe të premte, nga subjekti fitues i kontratës.
Nga ana tjetër, autoriteti kontraktor do të kujdeset për pastrimin sipërfaqësor të tualeteve gjatë gjithë ditëve të javës. Afati i përdorimit të këtyre strukturave të lëvizshme do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2025, duke përfshirë gjithë sezonin turistik dhe më gjerë.
Ky hap vjen në një kohë kur turizmi në Shkodër ka shënuar rritje të ndjeshme, por infrastruktura publike vazhdon të mbetet nën standardin e kërkuar. Investimi, edhe pse modest, sinjalizon një përpjekje për të mbuluar nevojat më bazike të turistëve, të cilat janë shpesh të neglizhuara në planifikimin urban.