Shkodër, policia finalizon operacionin e koduar “Rrethinat”.

Katër shtetas arrestohen në flagrancë për përfshirjen e tyre në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e Cannabisit në kuadër të operacionit “Rrethinat”. Midis të ndaluarve ndodhet edhe organizatori i grupit.

Gjatë aksionit u sekuestruan një sasi lënde narkotike, automjeti tip “Mitsubishi” që përdorej nga të arrestuarit, si dhe katër celularë të tyre.

Falë bashkëpunimit midis Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe bazuar në informacione të marra nga inteligjenca policore, u finalizua me sukses operacioni antidrogë i koduar “Rrethinat”. Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e quajtur “Ura e Bardhajve”, u kapën në flagrancë katër shtetas: N. L., 43 vjeç, P. L., 41 vjeç, B. B., 23 vjeç dhe D. K., 40 vjeç, të gjithë banues në Shkodër, duke mbajtur me vete dhe në automjet lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Nga hetimet rezulton se këta persona, në formën e një grupi të organizuar nga 43-vjeçari, janë të përfshirë në aktivitete kriminale të lidhura me kultivimin, prodhimin dhe shitjen e Cannabisit. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi N. L. ka përdorur të ardhurat e këtyre aktiviteteve për pastrim parash.

Materialet e çështjes i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, për hapat e mëtejshëm procedurale.

Ndaj Postimin: