Një grabitje është regjistruar pasditen e së shtunës në një subjekt financiar në Shkodër, ku autor i dyshuar është një i mitur.
Sipas Policisë, rreth orës 15:30, në lagjen “Vojo Kushi”, një shtetas ende i paidentifikuar ka hyrë në ambientet e një subjekti kredidhënës me një çekiç në dorë dhe, nën kërcënimin e tij, ka marrë një shumë monetare rreth 1 milion lekë të vjetra.
Pas marrjes së parave, autori është larguar me një automjet, ndërsa shërbimet policore kanë nisur menjëherë kontrollet për kapjen dhe identifikimin e tij.
Hetimet po zhvillohen nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të rastit.