Një adoleshent 15-vjeçar dje humbi jetën me motoçikletë pa kaskë, ndërsa policia rrugore nuk ndërhyn as pas tragjedisë
Një ngjarje tragjike ka tronditur zonën e Kryekuqit, ku një 15-vjeçar është përcjellë sot për në banesën e fundit, vetëm një ditë pasi humbi jetën në një aksident rrugor. Adoleshenti po udhëtonte me motoçikletë kur u përplas me një mjet tip “Benz”. Përplasja rezultoi fatale, ndërsa mësohet se ai nuk mbante kaskë mbrojtëse, siç e përcakton kodi rrugor.
Burime pranë policisë konfirmuan se mungesa e kaskës e bëri goditjen edhe më të rëndë. Megjithatë, ajo që ngre shqetësime të thella është fakti se fenomeni i drejtimit të motoçikletave pa masa mbrojtëse është bërë normë në këtë aks rrugor.
Nga një vëzhgim i kryer gjatë ditës së sotme në segmentin Divjakë–Autostradë, rezulton se shumica e drejtuesve të motoçikletave nuk përdorin kaskat mbrojtëse, pavarësisht ngjarjes së djeshme. Më alarmante është mungesa totale e reagimit nga patrullat e qarkullimit rrugor, të cilat nuk u panë të ndërhyjnë apo të ndëshkojnë shkelësit, raporton gazetarja Mukades Dervishi.
Në këtë segment rrugor, ku qarkullimi është intensifikuar për shkak të sezonit turistik, udhëtimi me motoçikletë pa kaskë përkthehet në rrezik të përhershëm për jetën. Çdo metër që përshkohet pa masa mbrojtëse është një sfidë për jetën e drejtuesve të rinj.
Kjo nuk është hera e parë që një neglizhencë e tillë kthehet në tragjedi. Statistikat jozyrtare tregojnë se shumë prej viktimave të aksidenteve në këtë zonë janë drejtues motoçikletash, të cilët shpesh injorojnë rregullat bazë të sigurisë rrugore.
Ndërsa komuniteti vajton humbjen e një jete të re, autoritetet vazhdojnë të heshtin përballë shkeljeve që bëhen në sytë e tyre. Kjo indiferencë institucionale vë në pikëpyetje rolin e strukturave përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve.
Tragjedia e Kryekuqit duhet të shërbejë si një alarm për ndryshim. Mosndëshkimi i shkeljeve vetëm sa rrit numrin e viktimave të pafajshme, ndërsa rrugët tona mbeten të pasigurta për brezin e ri.