Partia Demokratike ka publikuar një denoncim të rëndë ndaj Emiliano Lules, Drejtorit të Institutit të Nxënësve të Verbër “Ramazan Kabashi”.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, theksoi akuzat e stafit të këtij institucioni ndaj drejtuesit për keqadministrim dhe shkelje të ligjit të prokurimeve.
Sipas Vangjelit, mësuesit dhe stafi i institutit kanë dërguar një ankesë me shkrim drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera përkatëse, ku shprehin shqetësimin për sjelljen denigruese të Drejtorit Lule. Ata e akuzojnë Lulen për kërcënimin e mësuesve, duke i përfshirë këtu edhe kërcënimin për t’i larguar nga puna.
Në denoncimin e bërë publik, po ashtu, theksohet se emërimi i Emiliano Lules në këtë post është bërë në kundërshtim të plotë me ligjin, pasi ai nuk ka përmbushur kërkesën kryesore për të qenë i diplomuar në mësuesi. Pavarësisht këtyre mangësive, Drejtori Lule vazhdon të shfaqë një qëndrim autoritar dhe të pandëshkueshëm.
Në denoncimin e bërë, janë përmendur edhe disa kushte të papranueshme në institut. Edhe pse fondet janë të mjaftueshme, ata theksojnë se ky institut është i pajisur me mungesa të theksuara infrastrukturore. Pa internet, pa ujë të ngrohtë në tualet, dhe me një godinë të pabërë lyer dhe me pellgje uji para hyrjes, kushtet e mësimit janë shumë të vështira për nxënësit e verbër.
Për më tepër, mësuesit kanë ngritur shqetësime për mungesën e materialeve didaktike. Tekstet për matematikën në sistemin brail mungojnë që prej vitit 2016-2017, dhe materialet për gjuhën shqipe janë të pamundura për t’u përdorur në mënyrë të duhur për shkak të mënyrës së keqe të shtypjes.
Nga ana tjetër, PD ka zbuluar se Drejtori Lule ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme rregullat e prokurimeve. Në vitin 2025, ai ka realizuar 7 prokurime të njëjta, për të njëjtën sasi dhe specifika teknike, duke i ndarë ato për të shmangur procedurat ligjore të prokurimeve me vlerë të vogël. Ky veprim ka çuar në një tejkalim të konsiderueshëm të fondit të miratuar nga ligji dhe një shpërdorim të mbi 53 mijë eurove.
Partia Demokratike ka paralajmëruar Drejtorin Emiliano Lule se do të përballet me akuza të rënda për shkelje të ligjit të prokurimeve dhe rregullave të menaxhimit financiar. PD ka siguruar se do të dorëzojë çështjen në prokurori për të hetuar shkeljet e mundshme të ligjit për prokurimet publike dhe menaxhimin financiar.
Me këtë denoncim, PD kërkon një hetim të thelluar për të nxjerrë në dritë përgjegjësitë e Drejtorit Lule dhe për të siguruar një administrim më të mirë dhe ligjor të këtij institucioni jetik për nxënësit që vuajnë nga verbëria.