Shkarkohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, largohet edhe kreu i Policisë së Tiranës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është shkarkuar nga detyra. Sipas burimeve jozyrtare, vendimi lidhet me mënyrën e menaxhimit të protestës së fundit në Tiranë, gjatë së cilës u regjistrua djegia e ish-vilës së Enver Hoxhës.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se është shkarkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi. Çështja mësohet të jetë diskutuar në një mbledhje urgjente të zhvilluar nga ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, me kabinetin e saj, për analizën e situatës dhe reagimin e strukturave policore gjatë protestës.

Sipas ligjit, emërimi dhe shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit bëhet nga Kryeministri, i cili pritet të marrë vendimin përfundimtar.

Ilir Proda, oficer karriere, mori detyrën më 3 tetor 2024. Ai është një nga drejtuesit e Policisë së Shtetit që nuk e përfundon mandatin e plotë në këtë post.

Gjatë ushtrimit të detyrës, Proda u përball me akuza nga opozita, përfshirë pretendimin për sekuestrimin e telefonit të tij nga SPAK. Në janar 2026, Byroja Kombëtare e Hetimit deklaroi zyrtarisht se telefoni i tij nuk ishte sekuestruar.

Në fazën tranzitore, drejtimi i Policisë së Shtetit pritet t’i besohet Sokol Bizhgës, deri në emërimin e drejtuesit të ri.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033