“Shkarkimi” i Evis Semes. Pse PS hoqi maskën e unitetit dhe tregoi dhëmbët dhe pse Subashi nuk ngjitet dot më në “fikun” nga i cili ka rënë?

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Fier, dt. 27.02.2026, nisi me një lajmërim surprizë: kryetarja e grupit të këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak Fier, Evis Sema, shkarkohej për t’u zëvendësuar nga Marjus Voja. Për një pjesë të këshilltarëve, që nuk janë në brendësi të konjukturave dhe nuk dinë se çfarë lëviz në PS, ky ishte një lajm surprizë që i la të çoroditur dhe pa fjalë, ndërsa për të tjerë që diçka dinin, ia vlejti që këtij vendimi të Partisë Socialiste t’i jepnin një duartrokitje (megjithëse e vakët dhe me pahir, përsëri duartrokitje).

Po çfarë ndodhi dhe pse situata “shkau” deri këtu?

E gjithë kleçka qëndron te dominimi i Kryesisë dhe dominimi i Këshillit Bashkiak dhe kush duhet të jetë “kaposhi” i vetëm i socialistëve fierakë.

Kur në korrik 2025 u fut në Kryesinë e Këshillit zoti Rrapi Gjika, përfaqësues i Grupit të PD-së së vjetër, numri i këshilltarëve në Kryesi shkoi në 7 anëtarë: Antoneta Çunaj, Fatbardha Merkaj, Evis Sema (PS), Arben Çuko (LSI), Kreshnik Dapi (Social Demokrate), Endri Jaupaj (Demokratët Euroatlantikë), Rrapi Gjika (Partia Demokratike e Shqipërisë), çka i hiqte Armando Subashit shumicën në Kryesinë e Këshillit, duke qenë se PSD, me në krye Kreshnik Dapin, ishte bërë prej kohësh zëri më kritik me fakte e argumente ndaj sjelljes dhe mënyrës despotike të punës së tij dhe administratës që drejtonte ai.

Po pse është e rëndësishme Kryesia?

Kryesia e Këshillit Bashkiak është organi drejtues dhe filtrues i punës së Këshillit midis mbledhjeve plenare. Ajo nuk është thjesht një strukturë formale, por mekanizmi që përcakton ritmin, prioritetet dhe përmbajtjen e vendimmarrjes. Kryesia përgatit listën e projektvendimeve, harton kalendarin periodik të shqyrtimit dhe vendos rendin e ditës së mbledhjes së ardhshme, të paktën 10 ditë pune para zhvillimit të saj. Me shumicë votash, ajo përcakton se cilat çështje do të futen në rend dite dhe cilat jo. Kjo do të thotë se, në praktikë, Kryesia ka fuqinë të filtrojë propozimet: një projektvendim mund të diskutohet nëse përfshihet në rend dite, por mund të mbetet jashtë nëse nuk kalon në këtë fazë. Përveç kësaj, ajo mbikëqyr komisionet, organizon marrëdhëniet institucionale dhe koordinon përfaqësimin e Këshillit brenda dhe jashtë vendit.

Pikërisht për shkak të këtij roli kyç, kontrolli dhe balanca brenda Kryesisë janë thelbësore. Kush kontrollon Kryesinë, në një farë mënyre ndikon drejtpërdrejt në axhendën politike dhe administrative të Këshillit Bashkiak. Përfitimi kryesor i një funksionimi të rregullt dhe transparent të saj është garantimi që projektvendimet të mos bllokohen për arsye politike, që temat me interes publik të mos shtyhen apo shmangen dhe që procesi vendimmarrës të jetë i parashikueshëm dhe institucional. Në të kundërt, nëse Kryesia përdoret si instrument selektiv, ajo mund të ndikojë në frenimin e debateve, në përjashtimin e çështjeve të ndjeshme nga rendi i ditës dhe në deformimin e balancës përfaqësuese brenda Këshillit. Prandaj, roli i saj është vendimtar për transparencën, funksionalitetin dhe legjitimitetin e vetë Këshillit Bashkiak.

Si hap i parë për të ndryshuar numrat në Kryesi dhe për të fituar sërish epërsinë, Subashi kishte menduar largimin e Endri Jaupajt, që përfaqësonte grupin e PD-së së Bashës, goditje që kishte filluar më herët duke e shkarkuar z. Jaupaj nga posti i nënkryetarit të Këshillit Bashkiak Fier.

Largimi i tij po bëhej për dy arsye: e para për ndryshimin e balancës në Kryesi dhe e dyta për t’i dërguar një mesazh drejtuesit politik të Tiranës për bashkinë Fier, Ceno Klosit (sepse z. Jaupaj kishte dalë hapur në fushatën e majit 2025 në mbështetje të tij), që ishte i paaftë të mbronte mbështetësit e vet dhe se në Fier kishte vetëm një emër që peshonte: Armando Subashi.

Me këtë veprim, Armando Subashi i tregonte Këshillit Bashkiak, drejtuesve politikë, miqve dhe armiqve, që ai ishte sundimtari absolut i atij institucioni dhe së bashku me Këshillin e Qarkut, që drejtohej po nga znj. Evis Sema, dominonte totalisht mbi pushtetin vendor në Fier.

Aksioni “Subashi” për të marrë sërish në dorë kontrollin kulmoi në mbledhjen e 22 dhjetorit 2025, kur znj. Sema tundi në sallë, që në fillim të mbledhjes, një dokument ku sipas saj një nga këshilltaret e grupit të z. Endri Jaupaj deklaronte se bënte pjesë në grupin politik të PS; vetë këshilltarja nuk ishte fare prezente në sallë atë ditë dhe pretendimi i znj. Sema binte ndesh me rregulloren dhe u kundërshtua me forcë nga z. Jaupaj dhe këshilltarë të tjerë.

Por Evis Sema nuk u mjaftua me kaq. Ajo kërkoi në mënyrë të beftë, aty për aty, ngritjen e një “grupi pune” për ndryshimin e rregullores së Këshillit me pretendimin se në kohë të ndryshme, por pa cilësuar saktë se kur dhe nga kush, ishte ndier e fyer. Duke shfrytëzuar autoritetin si kryetare grupi, krahët e ngrohta dhe sigurinë që i jepte të qenit anëtare e klanit Subashi, si dhe verbërinë dhe mungesën e logjikës të këshilltarëve socialistë, të cilëve kur u vjen një propozim nga lart as pyesin bën apo nuk bën kuptim, por nxitojnë t’i thonë po, ajo jo vetëm arriti ta fusë menjëherë propozimin në rendin e ditës, por edhe ta miratojë me shumicën e votave të grupit socialist. Pra, socialistët në Këshill votuan me një fjalë goje ngritjen e nje komisioni/grupi pune per ndryshimin e rregullores.

Endri Jaupaj e kuptoi se kambanat po binin për të dhe iu përgjigj flakë për flakë znj. Sema, duke thënë se kërkesa ishte e paligjshme dhe bëhej me synimin e qartë për ta nxjerrë atë jashtë Kryesisë, si edhe për të kufizuar zërin e opozitës.

Mbas tij, anëtari tjetër i Kryesisë, z. Kreshnik Dapi, ndërhyri dhe i kujtoi Këshillit se kjo është një çështje që i takon Komisionit të Mandateve dhe Rregullores; po ashtu absurde iu duk kjo kërkesë edhe znj. Edlira Durrmishaj, kryetare e Komisionit të Mandateve dhe Rregullores dhe anëtare e grupit të PS.

Vendimi që doli nga ajo mbledhje ishte Vendimi nr. 126, datë 22.12.2025, me nr. prot. 41701, i Këshillit Bashkiak Fier, i firmosur nga zv/kryetarja e Këshillit, Fatbardha Merkaj. Ai vendim miraton “Ngritjen e Grupit të Punës për Riformatimin e Rregullores së Këshillit Bashkiak Fier” dhe përcakton që ky grup pune të përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, me përkatësi të të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Këshill, si dhe përfaqësues të Ekzekutivit të Bashkisë Fier, duke ngarkuar kryetarët e grupeve politike dhe Ekzekutivin për zbatimin, dhe duke e lënë vendimin të hyjë në fuqi 10 ditë pas shpalljes.

Por kontestimi i këtij vendimi nuk mbeti thjesht në kuadrin e debateve në sallë.

Me shkresën nr. 4171 prot., datë 17.01.2026, “Relacion mbi Paligjshmërinë e Vendimit nr. 126, datë 22.12.2025 dhe Kërkesë për Shfuqizimin e tij”, grupi politik i Partisë Socialdemokrate, me firmë Kreshnik Dapi, kërkoi:

1. Rievendimin e procedurës së ndjekur në mbledhjen e datës 22.12.2025;

2. Përfshirjen në rendin e ditës të mbledhjes më të afërt të propozimit për shfuqizimin e vendimit;

3. Kthimin e çështjes së “Riformatimit të Rregullores” në rrugë ligjore pranë Komisionit për Mandatet, Rregulloren dhe Çështjet Juridike, sipas nenit 177.

Në vijim të valës së kësaj përplasjeje doli edhe një tjetër shkresë: nr. 1674 prot., datë 05.02.2026, që propozon anëtarë për komisione, ku për “Komisionin për ndryshimet në Rregulloren aktuale të Këshillit Bashkiak Fier (7 anëtarë)” propozon: Edlira Durrmishaj, Evis Sema, Melsi Bogdani, Themion Mile, ndërsa 3 anëtarë të tjerë do të propozoheshin nga opozita.

Por pa mbushur java, vjen një letër nga Partia Socialiste që prishi të gjithë skemën për t’i dhënë kontrollin e Kryesisë së Këshillit klanit Subashi.

Përgjigjja e Partisë Socialiste erdhi me shkresën nr. 2 prot., datë 13.02.2026, nga PS, Dega Fier, me firmë Dorina Gjino, e cila mban si lëndë:

1. “Propozim për anëtarin e Komisionit për trajtimin e kërkesave për ndihmë të menjëhershme dhe riparim banesash”;

2. “Refuzim i propozimit për anëtarët e komisionit për ndryshimet në rregulloren aktuale të Këshillit Bashkiak Fier”.

Në këtë shkresë, PS thotë se nuk e sheh të nevojshëm ndryshimin e rregullores dhe e lidh rregulloren me projektin “Bashki të Forta” dhe me faktin se rregulloret janë produkt i një marrëveshjeje bashkëpunimi të ratifikuar në Parlament me ligjin 114/2024.

Po pse ky regaim I Partise Socialiste? Pse nje subjekt politik I njohur qe nuk ben mbrapa nese merr nje vendim, terhiqet nga vendimi, e bllokon ate dhe kundepergjigjet ashper duke ndeshkuar nje nga figurat kyce te saj, kryetaren e Qarkut Fier dhe Kryetaren e Grupitt e Keshilltareve Socialiste? Ku e kish kaluar vijen e kuqe Evis Sema qe duhej ndeshkuar? Për krijimin e një komisioni ad hoc në Këshillin Bashkiak, procedura është e qartë dhe e rregulluar: kryetari i grupit duhet të sigurojë firmat e të paktën 17 këshilltarëve, ndërsa propozimi duhet të paraqitet zyrtarisht me firmë dhe vulë të Partisë Socialiste. Kjo do të thotë se nisma nuk mund të jetë individuale apo informale, por duhet të mbështetet në një vullnet të konsoliduar politik dhe institucional. Çdo hap jashtë kësaj procedure cenon jo vetëm legjitimitetin e komisionit, por edhe vetë funksionimin korrekt të Këshillit Bashkiak.

Në këtë kontekst, shkresa e paraqitur rezultoi të ishte e parregullt si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Ajo ishte prodhuar jashtë Selisë së PS në Fier dhe, sipas burimeve, pa dijeninë dhe miratimin e drejtuesve të Partisë. Në praktikë, kjo do të thotë se dokumenti nuk kishte kaluar filtrat organizativë dhe statutore të nevojshme për një vendimmarrje të tillë. Për pasojë, ai përbënte një shkelje serioze të Statutit të Partisë dhe, i kombinuar me VKB nr. 126, e vendoste Grupin Socialist në Këshillin Bashkiak Fier në një situatë të rrezikshme politike dhe institucionale, madje në konflikt të hapur me vendimet e Grupit Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë pikë, veprimet e ndërmarra u konsideruan si kalim i “vijës së kuqe”, duke e bërë të pamundur tolerimin e mëtejshëm të kësaj qasjeje.

Po a mundet Armando Subashi të ngjitet sërish në fikun nga ra?

Në politikë, vajguri të mbaron jo kur s’të duan kundërshtarët apo qytetarët, por kur s’të duan dhe s’të qasin më të tutë. Shenjat që Subashin nuk e duan as të tijtë janë të shumta dhe të qarta.

Të tijtë kishin kohë që ia kishin hequr privilegjin e të qenit i pari i partisë në bashkinë e Fierit, sepse Partia Socialiste evidentoi dhe provoi një sërë abuzimesh të tij me pushtetin politik që i kishte lënë mirëbesim për disa vite, duke filluar nga degradimi i komunikimit deri në arrogancë me qytetarët, përfshirja e familjarëve në poste kyçe në administratë, dhe propozimi i figurave me nivel të ulët në kupolën drejtuese të bashkisë dhe të partisë, të cilët më pas u bënë pjesë e proceseve ligjore që vazhdojnë edhe sot.

Këto e të tjera ishin bërë shkak që PS ta largonte fillimisht nga Kryesia e Partisë në Tiranë, si dhe ta shmangte nga pjesëmarrja në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Divorci publik i Subashit me Partinë Socialiste u shpall në vizitën e Ramës, datë 8 korrik 2025, në bashkinë Fier, ku u kërkua dorëheqja në grup e të gjithë ekipit të drejtorëve të Subashit, çka ishte de facto shkarkimi i tij nga drejtimi i bashkisë dhe pasoi me ndryshimin e gjithë strukturës administrative të personelit në Bashki, duke dërguar atje 4 nënkryetarë të përzgjedhur nga vetë z. Rama dhe drejtuesja politike e PS në qark, znj. Balluku.

I gjendur në këto kushte, por i lidhur ngushtë me karrigen dhe privilegjet e saj, ai u mundua të ruante pozitat para stafit, miqve dhe familjarëve, duke manovruar në drejtim të kundërt me direktivat e Ramës dhe Partisë Socialiste, të dhëna troç dhe ashpër po më 8 korrik.

Por shkarkimi i Evis Semes është një nga shenjat e shumta, shenja e radhës që Subashi nuk komandon më dhe do ta ketë vërtet të vështirë, pothuajse të pamundur, të hipë përsëri në fikun nga i cili ka rënë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033