Shiu i dendur krijon vështirësi në Lezhë, disa zona përkohësisht nën ujë

Reshjet intensive të shiut gjatë natës kanë sjellë grumbullime uji në disa pjesë të qytetit të Lezhës, duke ndikuar në qarkullimin normal të këmbësorëve dhe automjeteve.

Lagjja “Besëlidhja” paraqitet ndër zonat më të prekura, ndërsa probleme janë konstatuar edhe pranë disa hyrjeve të shkollave, ku uji ka arritur në disa centimetra. Kjo situatë ka vështirësuar lëvizjen dhe ka shtuar shqetësimin e banorëve dhe prindërve të nxënësve në orët e para të ditës.

Autoritetet konfirmojnë se nuk ka raportime për dëme materiale dhe se grumbullimi i ujit lidhet drejtpërdrejt me intensitetin e reshjeve. Megjithatë, problematika ka rikthyer vëmendjen te nevoja për një zgjidhje afatgjatë të menaxhimit të ujërave në qytet.

Sipas autoriteteve lokale, situata pritet të përmirësohet me përfundimin e projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, i cili është në zbatim prej disa muajsh. Projekti synon të rrisë kapacitetet e shkarkimit dhe të reduktojë rrezikun e përmbytjeve në raste reshjesh të forta.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033