Shiu i dendur izolon zona në Australi, banorët shpëtojnë në çati

Shirat e rrëmbyeshëm në juglindje të Australisë shkaktuan përmbytje të menjëhershme, izoluan qytete të tëra dhe detyruan banorët të ngjiten në çatitë e shtëpive, ndërsa autoritetet dhanë urdhra të papritur evakuimi për shkak të rritjes së nivelit të lumenjve mbi kuotat e rrezikut.

Reshjet e dendura, që prekën veçanërisht rajonet rurale të Hunter dhe Mid North Coast në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, krijuan situata emergjente në disa qytete. Këto zona, ndër më të populluarat në Australi, pësuan reshje që tejkaluan mesataren vjetore vetëm brenda 24 orëve të fundit.

Ministri i Shërbimeve Emergjente të Uellsit të Ri Jugor, Jihad Dib, njoftoi se sasia e reshjeve të regjistruara ishte jashtëzakonisht e lartë dhe se toka tashmë ishte e tejngopur, duke shtuar rrezikun nga përmbytjet. Sipas tij, lumenjtë ishin fryrë ndjeshëm, ndërsa reshjet vijonin pa pushim.

Bureau e Meteorologjisë së Australisë paralajmëroi se në 24 orët e ardhshme priten deri në 300 mm reshje në disa zona, sasi kjo trefish më e madhe se mesatarja mujore për muajin maj. Kjo situatë ka rritur ndjeshëm rrezikun për popullatën lokale.

Në qytetet Taree dhe Glenthorne, të vendosura përgjatë lumit Manning në veri të Sidneit, dhjetëra banorë mbetën të bllokuar në verandat dhe çatitë e shtëpive të tyre. Ekipet e emergjencës hasën vështirësi të mëdha për t’u afruar në këto zona, për shkak të nivelit të lartë të ujit dhe rrjedhës së fortë.

Një nga banorët e Glenthorne, Jordan Halloran, u shpreh për mediat lokale se asnjë nuk kishte parashikuar këtë përmasë të ujit. Ai theksoi se fqinjët e tij ishin detyruar të ngjiteshin në çati dhe, nëse nuk do të shpëtoheshin shpejt, edhe vetë familja e tij do të detyrohej të merrte të njëjtin vendim.

Komisioneri i Shërbimeve Emergjente të Uellsit të Ri Jugor, Mike Wassing, deklaroi se prioritet mbetet shpëtimi i personave më të pambrojtur dhe atyre që nuk kanë mundësi të largohen vetë nga shtëpitë e tyre. Sipas tij, fokusi kryesor janë banorët që ndodhen në çati apo në katet e sipërme të banesave.

Autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë banorëve të prekur të ndjekin udhëzimet e emergjencës dhe të qëndrojnë në siguri derisa të vijë ndihma. Situata pritet të mbetet kritike edhe gjatë orëve në vijim, pasi reshjet nuk kanë shenja lehtësimi.

Ndaj Postimin: