Shfrytëzimi i Burimeve Publike në Fushatë: Dyshime për Etikën në Tenderin për Ujin e Dibrës

Në prag të zgjedhjeve, një zhvillim i fundit në qytetin e Dibrës ka nxitur reagime dhe ngritur shqetësime mbi përdorimin e pushtetit dhe resurseve publike për qëllime elektorale. Murat Dani, kandidat për deputet nga Partia Socialiste, është i biri i biznesmenit Jeton Dani, pronar i kompanisë “Gerti” Sh.p.k. Kjo kompani, në bashkëpunim me firmat “MELA” Sh.p.k. dhe “BE – IS” Sh.p.k., ka fituar një tender publik për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujit dhe ndërtimin e një depoje uji në fshatrat Cerenec i Sipërm dhe Cerenec i Poshtëm.

Tenderi ka ngritur dyshime të forta, pasi është skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë konkurues, duke lënë si fitues të vetëm bashkimin ku përfshihet kompania e babait të kandidatit. Ky zhvillim ka ngjallur shqetësime të forta për transparencën dhe drejtësinë në procedurat e tenderimit.

Për më shumë se dy vite, banorët e këtyre fshatrave kanë vuajtur nga mungesa e ujit të pijshëm dhe të vaditës, energjia elektrike ka qenë gjithashtu e pamjaftueshme, dhe rrugët janë në kushte të keqija. Mungesa e kushteve elementare ka detyruar shumë prej tyre të largohen nga vendlindja, madje disa kanë emigruar përtej kufirit, në Dibër të Madhe.

“Pa ujë, pa drita, pa rrugë. Këtu nuk jetohet më,” kanë shprehur më herët banorët në media lokale, duke theksuar kushtet e vështira që ata po kalojnë.

Ironikisht, ndërhyrja për furnizimin me ujë ka ndodhur pikërisht në prag të zgjedhjeve, me një kontratë që parashikon përfundimin e projektit brenda gjashtë muajve. Pyetja që ngrihet është: A është ky një investim për komunitetin apo një premtim elektoral i mbështetur nga interesat familjare?

Një tjetër shqetësim ka të bëjë me mundësinë që, në rast se Murat Dani nuk arrin të sigurojë mandatin e deputetit, projekti të rrezikojë të mbetet pa realizim. A mund të mbeten banorët sërish pa ujë si një formë ndëshkimi për “zgjedhjen e gabuar”?

Kjo situatë ngre nevojën urgjente për një transparencë të plotë mbi procedurat e tenderimit, përfshirjen e familjarëve të kandidatëve në kontrata publike dhe monitorimin e realizimit të projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Ndaj Postimin: